Partizani “trondit” pozitat e Skënderbeut, Tirana shkarkon trajnerin Muça
Partizani i dërgon kërcënon “kurorën” e Skënderbeut, pas pesë sezonesh radhazi kampion. Të kuqtë e Sulejman Starovës fituan në sekondat e fundit me të përhershmin Xhevahir Sukaj, 2-1, në Ballsh dhe morën tre pikë të arta në transfertë. Skënderbeu barazoi 2-2 një ditë më parë në fushën e vet me Teutën, dhe humbi kësisoj të drejtën e kryesimit i vetëm si deri tani, pas shtatë javëve të para. Me 3 pikët në Ballsh, ngjitet Partizani në vendin e parë me 19 pikë, po aq sa Skënderbeu. Edhe Kukësi fiton në Laç, ndërsa Tirana ndaj një pikë me Flamurtarin në kryeqytet.
Nga Ballshi, bën “të fala” Sukaj
Të kuqtë nuk e patën të lehtë fitoren ndaj Bylist, pasi vendasit kaluan në avantazh në 7’, me autor Ardit Peposhin, i cili shfrytëzoi në maksimum goditjen e këndit për skuadrën mallakastriote. Gëzimi i vendasve zgjati vetëm 3 minuta, pasi të kuqtë u hodhën në sulm për të kërkuar barazimin dhe e gjetën menjëherë pas një aksioni të lindur nga e majta e sulmit. Xhevahir Sukaj lëshoi një goditje të fortë që u grushtua nga Mushica. Por topi përfundoi në këmbët e Bathës, i cili e dërgoi atë lehtësisht në rrjetë. Në pjesën e dytë skuadrat u treguan më të kujdesshme. Kalari pas një goditje në mesin e pjesës së dytë, tronditi tranversën e Mushicës. Në 84’, Lorenc Trashi provoi të majtën por Mushica i mohoi kënaqësinë e golit. Pak sekonda nga fundi i kohës së rregullt, Xhevahir Sukaj ishte në vendin dhe momentin e duhur për ta shtyrë topin në rrjetë dhe Partizani largohet nga Ballshi me tre pikë të arta. Fitorja në limitet e kohës së rregullt në një transfertë të vështirë si ajo e Ballshit, sipas trajnerit të Partizanit, Sulejman Starova, tregon sesa i vështirë është ky sezon. – “Koefiçenti i vështirësisë ishte shumë i lartë dhe nuk duhet të mendonim që Bylis të binte në fund. Nuk e meritojnë vendin që kanë në klasifikim. Një fitore që na jep mundësi të punojmë me të qetë, sepse kampionati sapo ka filluar. Me Skënderbeun kemi 4 ndeshje, kurse me Tiranën 3 të tjera,” – theksoi Starova. Trajneri i ballshiotëve, Mauro De Vecchis, u shpreh se nuk ka patur shumë kohë në dispozicion për të punuar me skuadrën. – “Kemi nisur të punojmë vetëm para pak kohësh. Kuptohet nuk kemi pasur mundësi të bëjmë shumë gjëra. Skuadra ruajti ekuilibrat thuajse gjatë gjithë ndeshjes, por u ndëshkuam vetëm në fund. Deri në atë momente po luanim mirë. Ndoshta na mungoi ana fizike për të arritur të bënim diçka më shumë në sulm.
Kukësi fiton në minutat e fundit
Minutat e fundit vazhdojnë të jenë vendimtare për Kukësin, që rikthehet te fitorja pas hapit fals me Vllazninë, një javë më parë. Në një ndeshje të tensionuar me Laçin, një gol i Malotës dy minuta para përfundimit, vendosi fatet e këtij takimi. Kukësi shpërdoroi edhe një 11-metërsh me Flores, por në fund ka dalë me 3 pikët nga fusha, dhe me to i afrohet Skënderbeut në krye, falë barazimit të kampionëve në fuqi me Teutën brenda në shtëpi. Ndeshja në “Zeqir Ymeri” në fakt pritej të ishte nervoze dhe ashtu rezultoi, pavarësisht se fillimi ishte spektakolar me Kukësin këmbëngulës, që krijoi 3 raste të mira në 30 minutat e para me Shametin, Flores dhe Micin . “Ne e dimë shumë mirë që një skuadër si Laçi mund të të vërë në vështirësi pavarësisht se luan në shtëpi apo në transfertë,” – theksoi drejtori sportiv i Kukësit, Hasan Lika, pas ndeshjes. “Kemi vuajtur shumë, sidomos pas humbjes së penalltisë, por nuk u dorëzuam deri në fund dhe mendoj se e merituam fitoren. Kukësi vuan se ne në këtë sezon nuk kemi një golashënues të mirëfilltë që ta marrë ekipin përpara. Megjithatë ne do të vazhdojmë të punojmë duke i marrë ndeshjet një nga një dhe duke vazhduar të synojmë kreun e renditjes”, deklaroi Lika.
Vllaznia triumf në Pukë, “zhytet” Tërbuni
Vllaznia fitoi 3-0 duelin e mbijetesës me Tërbunin. Në transfertën e Pukës, stadium ku të dyja ekipet kanë zhvilluar deri tani ndeshjet brenda për shkak të rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi”, triumfoi Vllaznia dhe emri i madh i futbollit shqiptar që rrezikonte rënien në një kategori më poshtë. Goli i Shtubinës pas vetëm pak sekondash loje ishte çelësi i fitores së Vllaznisë. Në pjesën e dytë, brenda dy minutash vendasit mbetën me 9 lojtarë, pas daljes me kartonë të kuq të Rexhës dhe Karapicit. Në pjesën e parë vendasit e drejtuar nga Tanushi, në më shumë se një rast ju afruan barazimit, ku mundësitë më të mira iu paraqitën Rexhës në 7’, dhe Mones në 23’. Portieri Dragojeviç shpëtoi Vllazninë nga goli dhe atë që nuk bëri Tërbuni, Vllaznia në fillimin e pjesës së dytë gjeti dhe golin e dytë me Sosan. Epërsia e dyfishtë por dhe avantazhi numerik në fushë ja bëri gjërat e thjeshta shkodranëve që shënuan në fund dhe me Paviçeviç. 3-0 ishte rezultati përfundimtar për Vllazninë, që shënon fitoren e parë pas një barazimi në shtatë javë kampionati. Duket se skuadra e parë e dorëzuar nga gara është skuadra debutuese, Tërbuni i Pukës, pa nisur ende mirë sezoni.
Tirana-Flamurtari në paqe, ndajnë pikët
Ka nisur me gol sfida mes Tiranës dhe Flamurtarit. Në “Qemal Stafa” bardhebluve nuk u lejohej rezultat tjetër për pretendimet e larta, ndërsa Flamurtari dukej se u godit nga një krizë financiare para ndeshjes, çka ndikoi gjatë pjesës së parë, pasi u ndëshkua që në 2’, kur Kërçiku pason nga e djathta për Vucaj, i cili ndodhej në zonë dhe shkodrani, që ishte pjesë e Flamurtarit sezonin e shkuar, nuk gabon duke e çuar topin në rrjetë. Tirana kalon në avantazh 1-0 dhe mbron fitoren në pjesën e parë. Në pjesën e dytë zgjohen vlonjatët që barazojnë 1-1. Sulmuesi gjeorogjian barazon rezultatin pas një goditjeje brenda zonës, pasi një krosimi të ardhur nga krahu i djathte nga Idrizaj dhe sulmuesi mes dy mbrojtësve gjen rrugën e rrjetës. Deri në fund, duket se ekipet u pajtuan me rezultatin dhe ndanë nga një pikë. Pas barazimit 1-1, klubi i Tiranës vendosi shkarkimin e trajnerit Shkëlqim Muça. Ky i fundit u rikthye te Tirana para këtij sezoni me pretendimin ta rikthente te titulli, por barazimi i sotëm e largoi edhe më tepër dhe për të dalë nga kriza u mendua shkakrimi i trajenrit Muça. Presidenti Refik Halili po sheh mundësinë e rikthimit të një trajneri tjetër bardheblu, por nuk përjashtohet edhe një pistë e huaj.
Kategoria Superiore
Java e 7-të/ 17 tetor
Tirana-Flamurtari 1-1
Vucaj 2’ /Tshakadze 71’
Tërbuni-Vllaznia 0-3
Kukësi-Laçi 1-0
Bylis-Partizani 1-2
16 tetor
Skënderbeu-Teuta 2-2
Skënderbeu 19
Partizani 19
Kukësi 13
Teuta 13
Tirana 9
Laçi 9
Flamurtari 8
Vllaznia 4
Tërbuni 3
Bylis 1
Francezi Buval hedh Flamurtarin në gjyq
Para ndeshjes me Tiranën, Bedi Buval është larguar nga Flamurtari. Sulmuesi i ardhur sezonin e shkuar në Vlorë, i ka dhënë fund aventurës së tij për shkak të rrogave të pa-dhëna. Ditët e fundit, Buval u ka kërkuar drejtuesve të klubit që të likuidohet, teksa shprehimisht ka thënë: – “Më duhen pagat. Nuk mund të vazhdojë më kështu kjo situatë. Merrni masa sa nuk është vonë”. Ka qenë ky paralajmërimi që Buval i ka bërë klubit, por përgjigjja e drejtuesve ka qenë e njëjta si në ditët e fundit: “Pagat do të likuidohen shumë shpejt”. Duket se pritjes i ka ardhur fundi dhe lojtari Buval nuk ka preferuar që të qëndrojë në Vlorë me këtë situatë kritike. Pas largimit, ai dhe menaxheri i tij mësohet se e kanë hedhur në gjyq Flamurtarin. Lojtari kërkon pagat e pamarra, si dhe dëmshpërblim për këtë situatë. Sulmuesi ka vendosur në dijeni edhe UEFA-n, për çështjen në fjalë. Me fillimin e sezonit Flamurtari nxori lajmin se kishte dhënë shifra të mëdha si parapagim për ekipin, deri në fund të fazës së parë, po ky lajm duket se shërbeu vetëm për të “gënjyer” opinionin publik, sepse e vërteta tashmë duket krejt ndryshe dhe se edhe lojtarë të tjerë janë ankuar për pagat e prapambetura.
KOHA JONË SONDAZH

