Partizani zyrtarizon “divorcin” : Gjithmonë mirënjohës “Ushtar” Telushit
Bruno Telushi paraditen e sotme sqaroi se nuk kishte marrë ofertë nga klubi për zgjatjen e kontratës, e cila i kishte përfunduar që në muajin maj. Lajmin e ka komunikuar zyrtarisht edhe Partizani, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku falënderon futbollistin për kontributin e dhënë, por pa shpjeguar se cila ishte arsyeja e moszgjatjes së kontratës.
Postimi i Partizanit
Klubi i futbollit Partizani falënderon publikisht Bruno Telushin për kontributin e dhënë me fanellën e kuqe. Mesfushori 29-vjeçar ishte një prej shtyllave të ekipit dhe protagonist, sidomos përgjatë sezonit 2018 -2019, ku edhe me meritë u shpall Kampion i Shqipërisë me Partizanin.
Falë kontributit, punës dhe përkushtimit në arritjen e trofeut të kampionit ai fitoi respektin e stafit, drejtuesve dhe tifozëve të shumtë në mbarë vendin, të cilët do t’i jenë gjithmonë mirënjohës “Ushtar” Telushit.
Partizani, duke falënderuar dhe një herë Bruno Telushin për emocionet dhe performancën që dhuroi si pjesë e 16-të herë kampionëve të Shqipërisë, i uron njëkohësisht shumë fat në jetë dhe në karrierën e tij sportive. Faleminderit Bruno Telushi!”.