Partizani zyrtarizon largimin e Ilir Dajës
Ditën e sotme ka ardhur zyrtarizimi nga klubi i Partizanit për mbylljen e marrëveshjes me trajnerin Ilir Daja. Në komunikatën zyrtare të të kuqve në rrjetet sociale, theksohet se palët kanë ndarë rrugët me konsensus, ndërsa kryeqytetasit kanë falënderuar Dajën për punën dhe kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe në klub.
Kujtojmë se ky sezon nuk po shkon sipas parashikimeve për Partizanin me të kuqtë që janë 15 pikë larg Tiranës kryesuese, teksa disfata e fundit ndaj Tiranës i dha goditjen e radhës.
Njoftimi i plotë
FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Ilir Daja. Në përfundim të vitit kalendarik të aktivitetit sportiv, drejtuesit dhe trajneri Daja kanë zhvilluar një takim në të cilin është diskutuar ecuria dhe performanca e skuadrës. Në përfundim palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi falënderon trajnerin Ilir Daja për kontributin e dhënë dhe punën e përkushtuar që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit të Partizanit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

