Partizani eliminohet nga Besëlidhja, Telushi as me tripletë nuk e shpëton dot (VIDEO)
Janë luajtur sot sfidat e kthimit të fazës së 1/8-ve në Kupën e Shqipërisë, ku nuk kanë munguar as surprizat. Partizani ia ka dalë që të fitojë 3-1 me përmbysje ndeshjen e kthimit ndaj Besëlidhjes, por ky rezultat nuk ka mjaftuar. Lezhianët kishin fituar 3-0 në sfidën e parë. Ishte një mesditë fantastike për Bruno Telushin, që gjeti tri herë rrugën e rrjetës, por goli i Hajdarit, i dha kualifikimin Besëlidhjes.
Surprizuese mund të quhet edhe eliminimi i Luftëtarit që nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në sfidën e kthimit ndaj Apolonisë.Laçi dhe Bylis dhuruan spektakël duke e mbyllur ndeshjen me rezultatin 3-2 në favor të kurbinasve, por në raundin tjetër do të kalonin miqtë me suksesin 2-0 në duelin e parë.
Laçi kaloi në avantazh me anë të Bedri Grecës në minutën e 18-të të pjesës së parë, ndërsa në minutën e 51-të, Nëabueze dyfishoi nga pika e bardhë. Në pjesën e dytë Hidi rihapi ndeshjen në minutën e 59-të, ndërkohë që Guindo i dha një goditje të rëndë vendasve që do të shënonin një tjetër gol në shtesë me Redon Xhixhën.
Vllaznia ndërkohë fitoi 2-0 në Vlorë ndaj Flamurtarit duke siguruar një biletë për në çerekfinale. Silvio shënoi të dy golat, me penallti në minutën e 28-të dhe më pas vulosi gjithçka në minutën e 74-t.
Kukësi bëri detyrën duke fituar 3-0 dhe sfidën e kthimit ndaj Lushnjës, ndërkohë që Tirana triumfoi 4-0 ndaj Kastriotit, ku shënuan Halili, Beshiraj, Morina dhe Kraja. /R.Lika-Koha Jone/
Rezultatet:
Partizani-Besëlidhja (0-3) 3-1
Teuta-Erzeni (3-1) 2-1
Flamurtari-Vllaznia (2-2) 0-2
Tirana-Kastrioti (3-1) 4-0
Kukësi-Lushnja (1-0) 3-0
Skënderbeu-Besa (2-0) 1-0
Laçi-Bylis (2-0) 3-2
Luftëtari-Apolonia (0-3) 0-0