Patrik Treni, talenti me “këmbën” e Ronaldos që bindi PSG-ën (VIDEO)
Të kesh talent në Shqipëri mund të mos mjaftojë për të krijuar një karrierë të madhe dhe për t’u bërë një futbollist profesionist i një niveli të lart. Shumë fëmijë nisin hapat e parë në futboll në vendin tonë dhe më pas provojnë talentin e tyre në ekipet europiane, të cilat në fakt herë pas here organizojnë edhe mini-zbore për të evidentuar futbollist të spikatur.
Një nga futbollistët më të spikatur është padyshim edhe Patrik Treni. 17-vjeçari ka qenë pjesë e akademisë të Kamzës në vitin e fundit, duke zhvilluar një sezon mjaft të mirë dhe duke rënë në sy me disa gola spektakolar.
Aftësi të mira driblimi, i shpejt dhe me një goditje potente janë disa nga të dhënat që kanë tërhequr vëmendjen edhe të një klubi të madh evropian si PSG. Treni ka provuar disa ditë talentin e tij te skuadra franceze, duke arritur që të bindë skautët e kësaj skuadre për të mbajtur në akademinë e tyre të futbollit, ku shqiptari do të shkojë në muajin shtator.
17-vjeçari ka spikatur te Kamza me disa gola të bukur nga distanca, të stilit Cristiano Ronaldo teksa në të ardhmen premton që të jetë një nga futbollistët me më shumë prespektivë. Ai ka qenë edhe pjesë e të rinjve të kombëtares shqiptare në disa grumbullime. E ardhmja duket premtuese, teksa gjithçka do të jetë në dorën e Trenit për t’u bërë “Ronaldo i Shqipërisë”. /R. Lika-Koha Jone/