Pavloviç: Besojmë te mrekullia, japim 100% në Londër!
Goli vendimtar i Rey Manajt ndaj Serbisë ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në futbollin serb, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm ecurinë e përfaqësueses, por edhe stabilitetin e Federatës dhe të gjithë ambientit sportiv në vend. Në aspektin praktik, ai gol ka lënë Serbinë me shanse minimale për t’u kualifikuar në Botëror, pasi skuadra renditet në vendin e tretë të Grupit K, me 10 pikë në 6 ndeshje, një më pak se Shqipëria, dhe me vetëm dy ndeshje të mbetura për të luajtur.
Më 13 nëntor, Serbia do të udhëtojë drejt “Wembley”-t për t’u përballur me Anglinë, në një sfidë që ngjan pothuajse e pamundur. “Tre Luanët” kanë qenë të pamëshirshëm deri tani, duke fituar çdo ndeshje dhe duke triumfuar me “manita” në Beograd në përballjen e parë. Megjithatë, në kampin serb përpiqen të ruajnë optimizmin.
Pavlović, mbrojtësi i Milanit, deklaroi se ekipi nuk ka ndërmend të dorëzohet: “Sigurisht që nuk është e lehtë, është më mirë kur ke gjithçka në duart e tua. Por shanset ekzistojnë. Ne do të përpiqemi të fitojmë të dy ndeshjet dhe të mos bëjmë llogari.
Është e vështirë, por sa kohë ekziston mundësia, ne do ta luajmë deri në fund. Do të shkojmë në “Wembley” me motivim maksimal. Nëse nuk ia dalim, do t’i japim dorën kundërshtarit dhe do të ecim përpara.”
Mbrojtësi shtoi se grupi është i bashkuar dhe beson në mrekulli:“Askush nga ne nuk do të ishte këtu nëse nuk do të besonte se mund të mposhtë çdo kundërshtar. Ne besojmë dhe do të japim 100% në Londër.”
Serbia e nis këtë mision me trajner të ri dhe nën presionin e madh të opinionit publik, ndërsa goli i Manajt ka lënë plagë të thella në një përfaqësuese që tashmë sheh Botërorin gjithnjë e më larg.
KOHA JONË SONDAZH

