Pejiç distancon Kukësin nga rivalët, “ngec” Skënderbeu, Çota “shkund” Vllazninë

Tirana i dorëzoi sot kreun Kukësit, në Kategorinë Superiore, pa kaluar as 24 orë. Bardheblutë fituan dje ndeshjen e parë të javës së 20-të, ndaj Flamurtarit, 1-0, me gol të Ndikumana dhe morën përkohësisht kreun e klasifikimit. Por në ndeshjet e sotme, siç pritej, Kukësi fitoi lehtësisht ndaj Elbasanit 3-0 dhe u ngjit i vetëm në krye, madje duke thelluar diferencën në 3 pikë me vendin e dytë, që tashmë mbahet nga kryeqytetasit e drejtuar nga trajneri Gugash Magani. Kjo për faktin se Skënderbeu që ndiqte Kukësin, u ndal në barazim pa gola me Laçin në shtëpi, dhe zbriti në vend të tretë, katër pikë larg kryesuesve.  Ndeshja e fundit, e javës së 20-të mes Apolonisë dhe Partizanit, do të luhet pasdite në Fier. Të kuqtë e trajnerit Shpëtim Duro duhet të fitojnë, që të barazohen më Skënderbeun, ndryshe mund të distancohen nga kryesuesit, me shanse më të pakta për titullin kampion.          

Teuta – Vllaznia 2-1

Kur duheshin edhe katër minuta nga mbyllja e ndeshjes në “Niko Dovana” të Durrësit, sulmuesi librazhdas i ardhur gjatë merkatos së dimrit nga Elbasani tek Teuta, Mirel Çota, shënoi golin e fitores në favor të “djemve të detit”  duke i dhënë tre pikë të çmuara skuadrës vendase. Teuta fitoi ndaj Vllaznisë, 2-1, ndërkohë që golin e parë për vendasit e shënoi një shkodran, Ansi Nika, në 40’. Ky i fundit realizoi me një 11-metërsh që e fitoi vetë, pas një pengimi në zonë. Uruguaiania Soza barazoi shifrat për Vllazninë, në pjesën e dytë, në 69’, pas një gabimi të portierit Osmani, por shkodranët nuk mundën dot ta mbanin barazimin, prej presionit dhe dominimit të lojës nga Teuta, në fund të ndeshjes.  

Swiss Digital Desktop Reklama

Kukësi -Elbasani 3-0

Swiss Digital Mobile Reklama

Kukësi, për shkak të dënimit të stadiumit, priti në “Ymer Zeqiri” pa praninë e tifozëve të vet Elbasanin e vendit të fundit,  por ky fakt nuk e penalizoi atë që të seleksiononte fitoren e dytë radhazi për këtë vit dhe të mbajë kreun e klasifikimit. Ndeshja nisi me gol, teksa kroati Pero Pejiç zhbllokoi shifrat që në 3’. Goli i dha më shumë besim ekipit të drejtuar nga Artim Shaqiri, që me të njëjtin lojtar, realizoi edhe dy gola të tjerë, duke fituar lehtësisht 3-0, ndaj Elbasanit.  Në 52’ Hysa pason për kroatin shtatëlartë, që mposhti portierin Koçi, për herë të dytë. Pesë minuta para se të mbyllej ndeshja, Pejiç shënon edhe golin e tretë, duke vulosur rezultatin. Sulmuesi kroat marshon me këtë tripletë i sigurtë drejt trofeut personal të “Këpucës së Artë”, teksa ka shënuar 13 gola, ndërsa Kukësi mban vendin e parë, tani i shkëputur nga rivalët, Tirana, Skënderbeu e Partizani. Humbja për Elbasanin, do të thotë se shanset e mbijetesës janë edhe më të pakta.  

Skënderbeu-Laçi 0-0

Skënderbeu  priti Laçin, në shtëpi, por kampionët në fuqi lanë dy pikë të çmuara pasi nuk shkuan më tepër se barazimi i bardhë pa gola. Skënderbeut i mungonte në këtë ndeshje Peter Olaianka, i  pezulluar me katër muaj, ndaj edhe trajneri Mirel Josa aktivizoi nga minuta  e parë Sefën e Martins. Skënderbeu rrezikoi disa herë portën në pjesën e parë, por pa gjetur dot rrugën e rrjetës. Sefa shënoi në pjesën e dytë, por gjyqtari e anuloi golin e tij, për shkak të një faulli ndaj portierit Vujadioviç. Sefa humb edhe raste të tjera të pastra para portës laçiane, sikurse edhe Martins e Berisha, ndërkohë që Laçi del më i fituar nga kjo sfidë, me një pikë të artë. Në kushtet e motit, dhe të ftohtit kjo sfidë u zhvillua në prani të një numri të paktë të tifozëve vendas.

Apolonia – Partizani, sot ora 17:00

Apolonia luan një ndeshje vendimtare për mbijetesë, por brenda në shtëpi pret Partizanin, që po ashtu kërkon fitoren për titullin kampion. Apolonia, nën drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshi, synon fitoren e parë të këtij viti, pas humbjes së kaluar me Tiranën, 2-0, sikurse edhe Partizani, pas barazimit 1-1 me Laçin. Me Apoloninë kanë firmosur gjatë dimrit 3 futbollistë, Ribaj, Idrizaj dhe Balaj, të cilët do të jenë që sot në dispozicion të trajnerit Mërgjyshi. Partizanit i mungon sulmuesi kryesor, serbi Raciç, për shkak dëmtimi, por ai do të jetë në stol, për të luajtur ndoshta në pjesën e dytë. Përballja e pasdites, në stadiumin e Fierit, do të mbyllë edhe javën e 20-të në Kategorinë Superiore.

 

Kategoria Superiore

Java e 19-të/Sot

Kukësi-Elbasani               3-0

Shënues: Pejiç 3′ 54′, 85'

Skënderbeu-Laçi              0-0

Teuta-Vllaznia                 2-1

Shënues:  Nika 42’, Çota 86’/ Soza 69’

Apolonia-Partizani, ora 17:00

Dje

Tirana-Flamurtari             1-0

Shënues: Ndikumana 85’ (Elbasan Arena)

Klasifikimi

Kukësi               44

Tirana              41

Skënderbeu       40

Partizani            37 (-1)

Laçi                 29

Flamurtari         25

Vllaznia           23

Teuta             19

Elbasani          9

Apolonia         9 (-1)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?