Përballja në “Air Albania”, rreh fort zemra që ndizet kuqezi nga emocionet e sfidës Shqipëri–Angli
Nga Albert Vataj
Festa ka filluar. E gjithë shqiptaria është sonte me shpirt e me zemër aty ku zjarri kuqezi ndizet për të ndezur diellin e futbollit, diellin që na mbushi me emocion dhe besim, dielli që mbushi me dritë shprese te fitorja, të sotmen shqiptare.
Sot Tirana nuk është qytet. Sot Tirana është një zemër e madhe kuqezi që rreh fort, që ndizet, që përvëlohet nga emocionet e një sfide që tejkalon futbollin. Në orën 18:00, në “Air Albania”, Kombëtarja shqiptare del përballë Anglisë në një ndeshje që ngjan më shumë me një kapitull të shkruar me gjak, me besim dhe me zëra që nuk mposhten.
Në krahun tjetër të fushës qëndron një komb futbolli me 21 pikë, i pari në grup, i kualifikuar. Në krahun tonë qëndron Shqipëria me 14 pikë, e dyta, krenare, e pathyeshme, e fortë si guri i vendit prej nga vjen. Serbia është lënë pas, play-off-i është realitet, por sot… sot djemtë tanë dalin për më shumë se një rezultat. Dalin për sintezën e një ëndrre që nuk ka mbaruar.
Historia flet për Anglinë. Shtatë ndeshje, shtatë humbje për ne, golavarazh 21–1.
Por sot nuk luhet e kaluara.
Sot luhet zemra.
Shqipëria vjen në këtë duel me pesë fitore radhazi, me tetë ndeshje pa humbje, me moralin e ngjitur deri në majë të flamurit. Fitore ndaj Gjibraltarit, Letonisë, Serbisë, Jordanisë, Andorrës—jo thjesht rezultate, por dëshmi se kjo skuadër e ka gjetur rrugën, gjuhën, shpirtin.
“Air Albania” do të jetë i mbushur deri në frymën e fundit. Tifozë nga çdo qytet i Shqipërisë, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, e nga diaspora—një det kuq e zi që vjen të këndojë, të brohorasë, të besojë. Të gjitha biletat janë shitur. Të gjitha zemrat janë aty.
Masat e sigurisë janë vendosur, portat hapen tri orë më herët, udhëzimet janë të qarta… por asgjë nuk ndal dot drithërimën që kaplon çdo njeri që shkel sot në stadium. Sot, sapo këmbët të prekin shkallët e “Air Albania”, kupton se je pjesë e diçkaje më të madhe se vetja.
Kjo nuk është thjesht ndeshja Shqipëri–Angli.
Kjo është beteja e një kombi për të sfiduar statistikën.
Është nata kur zemra kuqezi ngrihet në majë të zërit.
Është prova e një skuadre që di të luftojë me shpirt të pastër dhe me synime të mëdha.
Anglia vjen e madhe.
Shqipëria hyn e madhe në shpirt.
Le të shkundet stadiumi.
Le të ngrihet kënga.
Le të tundet flamuri.
Sonte, në “Air Albania”, Shqipëria nuk luan vetëm futboll.
Sonte, Shqipëria ndizet.
KOHA JONË SONDAZH

