Perez: Ka humbur interesi për Championsin, Superliga shpëton futbollin!
Presidenti i Real Madrid dhe njëkohësisht numri një i projektit të Superligës Europiane, Florentino Perez, është shprehur se ky projekt është shpëtimi i vetëm për futbollin. Për numrin një të madrilenëve ky është fillimi i një epoke të re që do të garantojë vazhdimësinë për 20 vitet e ardhshme, dhe Perez sheh vetëm aspektin financiar.
“Duam të shpëtojmë futbollin dhe të jetojmë të qetë për 20 vitet e ardhshme. Situata është shumë dramatike. Çfarë është tërheqëse?! Fakti që gjigantët luajnë më shumë me njëri-tjetrin. Ka më shumë rivalitet dhe të ardhurat janë shumëfish më të mëdha. Interesi te ky sport ka humbur. Jemi të gjithë trokë nga pandemia.
UEFA propozon një format të ri prej vitit 2024, por deri atëherë do të kemi vdekur financiarisht. Champions është atraktiv nga çerekfinalet e mbrapa dhe të rinjtë e kanë humbur interesin. Në Superligë niveli i ndeshjeve do të jetë i jashtëzakonshëm. Nuk mendoj që do të përjashtohemi nga asnjë kompeticion. UEFA duhet të ndalë kërcënimet dhe të bashkëpunojë për të mirën e futbollit”, tha Perez.
Të tilla ndeshje në mesjavë do të rrisin fitimet nga e drejta televizive dhe kjo është e sigurt, por nëse do të bëjnë që tifozët të heqin dorë nga kompeticionet klasike dhe futbolli tradicional, kjo mbetet për t’u parë.