Përmbysja, 10 arsyet përse ia del sot Skënderbeu

Skuadra korçare ka një mision të vështirë sot përballë çekëve të Mladës, por jo të pamundur. Ka shumë arsye për të besuar se “armata bardhekuqe” mund t’ia dalë sot në “Elbasan Arena”. Natyrisht, në analizën tonë ka nota optimizmi sepse fundja Skënderbeu tashmë ka eksperiencë të madhe në Europë dhe një grup lojtarësh që mund ta mbajnë presionin. Por le t’i marrim të gjithë faktorët me radhë dhe të shpjegojmë se përse ekipi i Dajës ka shanse të mëdha të shkojë në fazën “play off”…

1) Luajnë në “Elbasan Arena” dhe do të kenë mbështetje maksimale nga tifozët. Jo vetëm nga ata korçarë, por edhe nga qytete të tjera, sepse tani Skënderbeu përfaqëson gjithë Shqipërinë. Dakord, nuk është fiks si të luash në Korçë, por ama fundja luajnë në tokën e tyre.

2) Rikthehen Lilaj dhe Xhejms në dispozicion. Shumë të vlefshëm që të dy, sepse i pari mungoi për kartonë në Çeki, ndërsa i dyti u penalizua prej burokracive të vizës.

Swiss Digital Desktop Reklama

3) Eksperienca e fituar ndër vite nga Shehi, Lilaj, Osmani, Radas, Vangjeli, Muzaka, Jashanica do të thotë shumë. Po, sepse atyre nuk u dridhen lehtë këmbët edhe kur presioni është i lartë. Kjo nuk është pak…

Swiss Digital Mobile Reklama

4) 50 mijë euro premio për kualifikimin janë një shtysë e madhe. Le ta themi troç: shpërblime të tilla në realitetin shqiptar janë me pikatore.

5) Vapa! Po, po vapa. Mund të jetë pengesë për korçarët, por akoma më shumë është për çekët që e kanë mjaft të vështirë të ambientohen në të tilla temperatura.

6) Dëshira për hakmarrje. Ndaj kujt? Ndaj UEFA-s që i dënoi një vit më parë, ndaj opinionit që shpesh është treguar i pamëshirshëm për përfshirjen e Skënderbeut në afera bastesh. Por, edhe ndaj rivalëve të Kukësit e Partizanit. Dy ekipet e tjera janë eliminuar tashmë, por Skënderbeu ka shansin të vazhdojë t’u japë leksione se si mund të jesh i suksesshëm në Europë.

7) Për shqiptarët nuk ka asnjëherë kundërshtarë të lehtë dhe për më tepër Skënderbeu ka humbur në ndeshjen e parë. Por gjithsesi Mlada quhet rivali… Nuk është as Sportingu, as Dinamo e Zagrebit dhe as Lokomotiva e Moskës. Duhet respektuar, por aspak frikë.

8) Latifi! Prej disa kohësh ka marrë skuadrën për dore, por ende nuk është në nivelin e liderit. Ka shansin që sot të bëjë diferencën dhe të bindë klubet europiane se është gati për hapin e madh.

9) Trajneri Ilir Daja. Rrallë gabon dy herë radhazi. Ai dhe skuadra morën kritika pas ndeshjes së parë, sidomos për atë gol të pësuar naivisht. Daja është strateg dhe i studion deri në detaje rivalët. Diçka duhet t’i pjellë mendja edhe për sot. Kujtoni që pas Kairatit, trajneri rival iu përul publikisht… 1

10) 920 mijë euro të ardhura në klub nëse shkohet në “Play off”. Përpos kësaj, një shpresë e madhe edhe për fazën e grupeve. Goxha objektiv apo jo? Cili ekip shqiptar nuk do të frymëzohej për një arritje të tillë…?!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?