Pësoi humbjen e parë pas 17 ndeshjesh, Egbo: Zoti e kishte vendosur të ndodhte kështu!

Pas 17 ndeshjesh, Egbo është dorëzuar, duke pësuar humbjen e parë nën drejtimin e Tiranës. Trajneri i bardhebluve në intervistën pas duelit nuk është shfaqur i shqetësuar, teksa theksoi se herët apo vonë një disfatë e tillë do të vinte.

“Jam shumë i qetë, pasi ky është futbolli. Lojtari nuk duhet të shqetësohet për asgjë, jemi me këmbë në tokë. Jeta vazhdon. Ne kemi forcën e duhur dhe kam besimin te lojtarët që kam. Nëse do shënonim me ato raste që kishim në pjesën e dytë, do flisnim ndryshe tani. Ne gjatë gjithë kohës kemi qenë në epërsi. Këtë i kërkova edhe çunave pasi në pjesën e parë ishim shumë në vështirësi.

Teuta na hapi shumë probleme në pjesën e parë ndërsa në të dytën u përmirësuam dhe krijuam shumë raste. Edhe sot na pa Zoti dhe e kishte vendosur ai që të ndodhte kështu, por kështu është jeta. Ju i keni parë më mirë nga TV, ndeshjen dhe i keni parë qartë rastet. Teuta ishte më agresive dhe nuk na la të qarkullonim topin. Në pjesën e dytë rregulluam gjithçka me qetësi.

Ndërrimet më shpejt dhe më shumë? Nëse shikon lojën, kuptohet se unë nuk i bëj ndërrimet se duhen ndërrime. Unë nuk shikoja ndonjë arsye për të bërë ndërrime, nuk duhet t’i bëj ato sa për të kaluar. Unë pashë lojtarët që luftonin për çdo top dhe në pjesën e dytë ishim më mirë se kundërshtari.

Kukësi? Unë e kam thënë gjithmonë se nuk merrem me ekipet e tjera. Unë dua të futemi në fushë dhe të marrim maksimumin. Kjo që ndodhi sot nuk më shqetëson aspak, pasi e kemi pritur edhe këtë moment që të ndodhë, jeta kështu është. Ne do shkojmë tani në shtëpi dhe do përgatitemi për ndeshjen e radhës”, u shpreh Egbo.

SHKARKO APP