Pikante/ Tifozët digjen për ujë, por nuk harrojnë Ballist Morinën. Një “huligan” i bën zbor policisë
Festë dhe përqafime, futje në fushë dhe kontestime, besëtytni që u sjellin fat korçarëve dhe një stadium në delir përgjatë 120 minutave lojë. Të gjitha këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet e sfidës së mbrëmshme në “Elbasan Arena”, me Takajn që nuk e mban vendi dhe u zbret lojtarëve në fushë për t’u dhënë zemër. “Panorama Sport” sjell disa nga pikantet e Skënderbeu-Mlada.
* Ultrasit korçarë e pritën me ovacione dhe brohoritje skuadrën e tyre gjatë momentit që po hynin në stadium me autobus. Mbështetja nuk mungoi gjatë gjithë sfidës. Numri i tyre ishte brenda pritshmërive.
* Edhe në këtë përballje shqiptarët nuk e harruan “zakonin” e tyre për t’i lënë gjërat në fund. Ndonëse biletat kishin disa ditë që ishin në shitje, një pjesë e mirë e tyre i bleu ato para nisjes së ndeshjes. Madje, radhë të gjata pati edhe gjatë kohës që sfida kishte startuar.
* Tribuna qendrore dhe ajo ballore ishin të mbushura gati plotësisht, por linin për të dëshiruar ato anësore. Madje, sektori G pas portës jugore nuk u hap fare. Në sektorin e miqve nuk mungon mbështetësit e paktë të Mladës.
* Në tribunën e “Elbasan Arena”-s nuk mungoi as kreu i FSHF-së, Armand Duka, që qëndroi përkrah presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj, si edhe ish-presidentit, Agim Zeqo.
* Në momentin që spikeri po lançonte emrat e lojtarëve, në monitorët e stadiumit dilnin fotot e tyre. Praktikë e rrallë në Shqipëri.
* Skuadra korçare vijoi me besëtytninë e saj e të mosbërit foto përpara takimit. Të njëjtën praktikë ndoqën edhe para dy sezonesh kur u ngjitën deri në grupet e Europa Ligës. Fati edhe kësaj here ishte me ta, por do detyrohen nga UEFA që të bëjnë foton zyrtare në takimin e radhës.
* Para startit të sfidës, kapiteni i korçarëve, Orges Shehi, takoi të gjithë lojtarët për t’u dhënë kurajë përpara takimit.
* Afrikanët Xhejms dhe Nimaga nuk harruan të bëjnë ritualin e tyre të besimit në Zot, për t’u sjellë fat. Zoti ishte me ta!
* Në minutën e 128-të ishin dy topa në fushë, ndërkohë që miqtë po krijonin një aksion të rrezikshëm dhe për pak kaluan në avantazh. Gjyqtari vijoi lojën, edhe pse korçarët patën pretendimet e tyre. Edhe në të 40′ ndodhi e njëjta histori dhe sërish nuk u ndalua loja.
* Gjatë gjithë ndeshjes nuk munguan kontestimet e tifozerisë vendase ndaj vendimeve të gjyqtarëve, të cilat u konsideruan si të dyshimta.
* Duke parë rezultatin në humbje, Daja jep urdhër që treshja e ofensivës, Taku-Muzaka-Shkodra, të dalë në nxehmje që në pjesën e parë.
* Ndonëse temperaturat ishin shumë të larta, në stadium mungoi shërbimi katering dhe sportdashësit nuk kishin mundësi as për t’u freskuar. Shërbim katering kishte vetëm për sektorin VIP.
* Në minutën e 52′ Skënderbeu pretendon për një 11-metërsh, por nuk mendon kështu gjyqtari. Tekniku Daja proteston te gjyqtari i katërt.
* Pasi Skënderbeu kaloi në avantazh 2 me 1 në tribunën VIP e panë të gjithë ndeshjen në këmbë, pasi me sa duket emocionet kishin arritur kulmin. Pothuajse edhe shtesat me penalltitë u panë në këmbë.
* Pas përfundimit të kohës së rregullt, Takaj zbret në fushë dhe flet me skuadrën. Motivimi i njëshit të klubit të kuq e dha efektin, sepse në fund Skënderbeu u kualifikua nëpërmjet ruletës së 11-metërshave.
* Gjatë fundit të ndeshjes, tifozët “kujtohen” edhe për “Ballist” Morinën, i cili është në pritje të ekstradimit në Serbi. I gjithë publiku ka dashur të japë mbështetjen për “njeriun e dronit”.
* Në përfundim të ndeshjes, pas kualifikimit për në fazën e “play Off”, një tifoz nuk e përmbajti veten dhe u fut në fushë. Përpos ndjekjes së stjuartëve dhe të policisë, ia doli të përshkojë të gjithë fushën. Në fund, lodhja bëri të vetën dhe u dorëzua.
* Të gjithë në festë pas penalltive, me lojtarë dhe tifozë që festojnë nëpër fushë dhe tribuna. Festa vazhdoi edhe jashtë stadiumit…/panoramasport
KOHA JONË SONDAZH

