Pioli: Kam një strategji për të mundur Interin, duhet të kemi fytyrën e Ibrës
Pavarësisht diferencës në klasifikim, Stefano Pioli është i bindur se Milani e nis ndeshjen si e barabartë përballë Interit. Derbi i Madoninës pritet të dhurojë spektakël, me të dyja skuadrat që synojnë me çdo kusht 3 pikët.
“Ndeshjet derbi janë shumë të veçanta dhe të bukura për t’u luajtur. Interi ka bërë një nisje shumë të mirë të kampionatit, ndërsa ne po përpiqemi të rikuperojmë dhe vijmë në një formë shumë të mirë. Kemi përgatitur një strategji, duke pasur parasysh cilësitë e kundërshtarit, por shpresoj që të jetë e duhura dhe t’ia dalim.
Vlen më shumë se 3 pikë? Është një ndeshje që vlen më shumë. Skuadra ime ka treguar kurajo në vështirësi. Nesër do të kemi një tjetër mundësi.
Ibrahimovic ka punuar mirë, por i mungon një seancë e plotë me skuadrën gjatë këtyre ditëve, megjithatë mund të jetë gati nesër nëse kalon provën sot. Shpresoj që skuadra të ketë fytyrën e tij, pra të tregojë grintë e dëshirë për fitore nesër”, tha Pioli.