Pioli: Ta mbyllim vitin në krye, ja momenti më i bukur i 2020-ës!
Milani është skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në vitin 2020 dhe kërkon ta mbyllë në mënyrën më të mirë. Kuqezinjtë nesër në mbrëmje do të kenë një duel aspak të thjeshtë ndaj Lazios në “San Siro”. Trajneri Stefano Pioli foli dhe për momentin më të bukur të vitit.
“Duhet të shohim gjithmonë përpara, për të bërë maksimumin pa parë nga klasifikimi. Vetëm në fund do të bëjmë llogaritë. Juve e Inter kanë cilësitë e tyre dhe ne tonat. Në letër ato janë favorite, por ne duhet të shohim punën tonë, pasi kemi shumë mundësi përmirësimi.
Rebiç dhe Tonali? Sot bëmë një stërvitje të lehtë, pasi nuk mund t’i sforconim lojtarët 24 orë para ndeshjes. Rebic e Tonali u stërvitën me grupin, por vetëm nesër do të vendosim nëse do luajnë apo jo.
Merkato? Unë dhe shoqëria jemi në të njëjtën linjë sa i përket merkatos, pasi duam të shfrytëzojmë rastet për t’u fuqizuar, por gjithmonë nëse do ketë raste të tilla. Duam të marrim lojtarë jo vetëm të fortë teknikisht, por edhe moralisht, si dhe t’i shërbejnë projektit të klubit.
Milani për titull? Jemi ambiciozë dhe duam të fitojmë gjithmonë. Ju flisni për të ardhmen, por kjo e ardhme ndërtohet vetëm duke menduar për ndeshjen e radhës. Duam të bëjmë mirë në çdo ndeshje dhe të përmirësohemi vazhdimisht, por nëse në fund jemi në krye të renditjes, akoma më mirë.
Ka shumë momente të tilla, por mua më pëlqen kur shoh që kam në dispozicion një grup të gatshëm të bëjë maksimumin dhe të punojë shumë për t’u përmirësuar vazhdimisht. Momenti më i bukur ishte kur Gazidis më telefonoi për të më thënë se shoqëria dëshiron të vazhdojë projektin me mua”, deklaroi Pioli.