Piolin: Nuk është ndeshja e jetës me Juven, Ibra ende jo gati!
Milani po zhvillon një sezon të shkëlqyer, teksa merita padyshim është e trajnerit Stefano Pioli. Strategu italian doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku u mundua të zbehë rëndësinë e sfidës me bardhezinjtë, pasi pranoi se skuadra e tij po luan shumë mirë, por theksoi se kampionati ka edhe shumë javë deri në fund.
“Juventus është një skuadër në rritje, me lojtarë që bëjnë diferencën dhe që vendosen mirë në fushë, ndaj do të jetë një takim i vështirë. Ne kemi treguar deri tani se jemi më të fortët, por është ende herët, pasi renditjen do ta shohim vetëm në prill. Nuk është një ndeshje vendimtare, pasi kampionati është shumë i gjatë, por është një sfidë që duam ta fitojmë.
A është gati Ibra? Pavarësisht postimit në rrjetet sociale, Ibrahimovic nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e nesërme. Ka rinisur stërvitjen, por nuk është në formë dhe nuk do ta rrezikojmë. Te Krunic besojmë plotësisht dhe jam i bindur që do bëjë një ndeshje të madhe nesër, por kemi edhe plan B në mesfushë”, u shpreh trajneri i Milanit.