Pirlo: Me Milanin jo vendimtare, ju tregoj si do t’i mundim!
E mërkura rezervon një duel spektakolar në Seria A mes Milanit dhe Juventusit. Kryesuesit e këtij sezoni, do të presin në “San Siro” kampionët ne fuqi, teksa trajneri i bardhezinjve nuk ka preferuar që ta cilësojë si një duel vendimtar. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Pirlo u shfaq i shqetësuar për situatën e pandemisë pasi rezultoi pozitiv Alex Sandro.
“Kemi bërë analizat në mëngjes, do të shohim nëse do të ketë futbollistë të tjerë të infektuar. Po punojmë për rikthimin në kampionat, e nisëm me një fitore dhe me një lojë pozitive. Po mendojmë ndeshje pas ndeshje për të përmirësuar paraqitjet dhe renditjen.
Sfida me Milanin? Nuk është një ndeshje ku qëndron apo largohesh, por do të jetë e rëndësishme. Jo vendimtare. Gjithmonë ka qenë ndeshje tërheqëse si futbollist, e tillë është edhe si trajner.
Dybala? Paulo ka qenë disi me grip, sot ka qenë më mirë. Do të jetë në ndeshje, vetëm nëse ndodh ndonjë surprizë e pakëndshme. Ndaj Milanit për mua është një ndeshje speciale, kam kujtime të bukur, edhe pse atje ka mbetur vetëm Paolo (Maldini).
Si përballohet Milani? Duke qenë të kujdesshëm, duke luajtur mirë teknikisht, duke mos u dhënë hapësira, pasi kundërsulmin e kanë një nga pikat e forta. Që nga fillimi kemi kërkuar që të shfrytëzojmë karakteristikat, kthjelltësinë e Ronaldos në 30 metrat e fundit. Vendimtar? Sigurisht, ashtu ka qenë kudo, por është normale kur ke një kampion të tillë. Milani ka bërë shumë ndeshje pozitive ndaj janë të parët. Janë skuadra për t’u mundur, por ne do të bëjmë lojën tonë. Nuk duhet të kemi frikë që të luajmë me letra të hapura”, deklaroi Pirlo për mediat. /Rozalb Lika-Koha Jone/