Pirlo paralajmëron Interin: Ne jemi aty dhe duam ta fitojmë titullin
Juventus do të rikthehet në fushë ditën e nesërme, teksa pret Spezian ku aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares, Ardian Ismajli.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Andrea Pirlo thekson se nuk priste që të gjitha këto dëmtime që kanë pushtuar ekipin të vinin në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, tekniku shton se në ekip, ka akoma besim se mund t’ia dalin sa i përket titullit.
I prisnit këto vështirësi? “Nuk është e thënë që çdo vit të jetë i njëjtë. E dija që do të nisja një rrugëtim të vështirë, kërkuam të ndërtonim një skuadër konkurruese dhe ashtu jemi. E vetmja gjë që nuk kisha parashikuar është të kishim të gjithë këto dëmtime në të njëjtën kohë. Edhe në një periudhë kaq delikate të sezonit, nuk e kisha menduar”.
Si po e menaxhon këtë moment? “Jam munduar t’i mbaj djemtë të qetë dhe të rikuperoj energji fizike dhe mentale. Djemtë besojnë , stërviten dhe kanë dëshirë të rikthehen të fitojnë. Objektivat janë gjithnjë të njëjtat, edhe pse kemi disa pikë më pak”.
Dëmtimet? “Morata është stërvitur pak me grupin sot, por do ta shohim si është nesër dhe më pas do të vendosim. Mekeni ka pasur një problem, por duhet të “shtrëngojë dhëmbët” sepse nuk jemi shumë. Për Artur nuk ka asgjë të re, po vazhdon periudhën e rikuperimit” u shpreh Pirlo.