Pirlo: Suarez vështirë se vjen, kam shumë siguri te Juventusi
Andrea Pirlo është gati për të nisur zyrtarisht aventurën te Juventusi si trajner. Ish-mesfushori i njohur ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes së parë të kampionatit ndaj Sampdorias në “Allianz Stadium”, ku është shprehur se ka ende dilema për formacionin që do të hedhë në fushë.
“Unë jam shumë mirë, por e rëndësishme është që të ndihen mirë lojtarët, në prag të ndeshjes së nesërme. Kemi punuar shumë këtë javë dhe kam mjaftueshëm futbollistë në dispozicion, për të përdorur zgjidhje të ndryshme gjatë sfidës. Për dëmtimet e Dybalës dhe De Ligt jemi përgatitur më herët, pasi e dinim që nuk do t’i kishim, por kemi organikë të plotë.
Sulmuesi kryesor? Jemi të gjithë duke e pritur. Merkatoja sapo ka filluar dhe ka ende edhe shumë kohë. Dihen vështirësitë për t’u kompletuar dhe sigurisht që nuk e kem ime nxitim, pasi në organikë kemi edhe zgjidhje të tjera.
Dyshime nuk kam, ndërsa siguri kam shumë, pasi drejtoj Juven, një skuadër të mbushur me kampionë, që janë të gjithë të disponueshëm dhe të gatshëm për të bërë mirë detyrat e tyre. Jam shumë i kënaqur me blerjet, pasi Kulusevski dhe Pellegrini e njohin tashmë kampionatin italian dhe janë përshtatur shumë shpejt. Arthur vjen nga La Liga dhe ka nevojë për më shumë punë, por këtu jemi dhe duam ta integrojmë sa më shpejt.
Nuk do të ndryshojë shumë, pasi unë dua kontroll të topit dhe sulme të vazhdueshme, por një filozofi të ngjashme kishte edhe Sarri. Suarez te Juvja? Është e vështirë që të jetë qendërsulmuesi ynë, duke qenë se ka shumë pak kohë në dispozicion për të marrë pasaportën”, deklaroi Pirlo.