Pjanic: Barcelona mund të ringrihet vetëm pa Koeman si trajner!
Miralem Pjanic u largua nga Barcelona gjatë verës, pasi nuk kishte hapësira te skuadra katalanase. Ai kurrë nuk kishte besimin e trajnerit holandez, me të cilin duket se marrëdhënia e tij nuk përfundoi mirë, ndërkohë që tashmë është pjese e Besiktas në Turqi. Në një intervistë për “BeIn Sports Turkey“, boshnjaku u kthye për të folur mbi ish-trajnerin e tij.
“Unë nuk e di ende se çfarë donte saktësisht Koeman, nuk u përpoq të m’i shpjegonte gjërat, ose të gjente një zgjidhje. Isha unë që do ta pyesja se çfarë donte prej meje, se çfarë po bëja gabim ose drejt. Pa ditur çfarë kërkonte, si mund të përshtatesha brenda ekipit, për të qenë i dobishëm…?! Në një sezon ju duhen 17-18 lojtarë për të fituar tituj. Për të nuk kishte probleme në lojën time, nuk më dha përgjigje pse nuk luaja.
Barcelona është në një situatë të vështirë. Rezultatet nuk po shkojnë ashtu siç donin tifozët. Lojtarët janë nën presion. Ndoshta ekipit i duhet një trajner më i mirë për t’u përmirësuar. Barcelona është një nga katër ose pesë klubet e mëdha në botë. Ajo do të kthehet në ditët e vjetra, por do të duhet pak kohë”, deklaroi Pjanic.