Pjanic: Sarri nuk kishte besim te lojtarët, ja dallimi mes Messit dhe Ronaldos

Miralem Pjanic u largua nga Juventusi këtë verë për të nisur një aventurë të re te Barcelona, por fati e ka vendosur menjëherë përballë bardhezinjve në Champions League. Të mërkurën do të luhet akti i parë i fazës së grupeve në “Allianz Stadium”. Në prag të kësaj përballje, Pjanic ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat italiane, ku ka folur për raportet me Sarrin dhe pjesën tjetër të klubit bardhezi, diferencën mes Messit e Ronaldos.

“Sarri? Ai është një trajner profesionist dhe shumë i zoti. Këtë e them pa as më të voglin dyshim, por e vërteta është se ai nuk krijoi asnjëherë besim te ne futbollistët. Mund të mos jesh dakord me një apo dy futbollistë, por nuk mund të vësh në dyshim impenjimin e të gjithë skuadrës, pasi bëhej fjalë për një ekip me futbollistë profesionistë, që japin maksimumin për të arritur objektivat e tyre dhe të klubit. Kjo është ajo shkëndija që presidenti Agnelli tha se nuk lindi mes grupit të lojtarëve dhe Sarrit.

Dueli me Juven? E kisha menduar dhe kur po shihja shortin, kisha një parandjenjë të fortë që do të ishim në grup me Juventusin. Jam shumë i lumtur që do të rikthehem të luaj kundër miqve të mi dhe ndaj një klubi që e mbaj në zemrën time. Menjëherë pas shortit kam marrë shumë mesazhe nga shokët e mi te Juventusi, por edhe nga presidenti Agnelli, që më shkruante “Mirësevjen në shtëpi

Messi dhe Ronaldo? Messi është impresionues dhe e kam të vështirë ta përshkruaj. Kur sheh disa gjeste teknike të tij në ndeshje, të duken si prej jashtëtokësori, por kur stërvitesh me të, kupton që ato janë veprime normale të Messit. Sa herë që ai ka topin, do të ndodhë patjetër diçka dhe të mahnit me lehtësinë që kryen veprimet teknike si në fushë, ashtu edhe në stërvitje. Nga ana tjetër Ronaldo është një kampion absolut, një punëtor i jashtëzakonshëm që kujdeset për të gjithë detajet. Është një futbollist fitues dhe këtë e ka demonstruar kudo ku ka luajtur, por mund të shtoj se është edhe i fiksuar pas statistikave, golave, e detajeve të tjera”, deklaroi Pjanic.

 

 

SHKARKO APP