“Plakushi” Dani Alves mund të thyejë nesër një rekord te Brazili
Dani Alves është njeriu i rekordeve. Futbollisti që ka fituar më shumë tituj në historinë e futbollit kërkon sfida të reja dhe të thyejë të tjera rekorde. Me shumë mundësi Tite do ta hedhë në fushë këtë të premte në ndeshjen Brazil-Kamerun, që mbyll fazën e grupeve të Kupës së Botës.
Nëse ndodh, ai do të bëhet futbollisti më i vjetër brazilian që ka luajtur një ndeshje të Botërorit. Ish-mbrojtësi Blaugrana, tashmë në radhët e Pumas, është 39 vjeç. Duke luajtur ndaj Kamerunit, ai do të thyente rekordin e 37-tave, moshë me të cilën Djalma Santos luajti më 15 korrik 1966 në ndeshjen Brazil-Hungari.
Për Dani Alves, ky do të jetë Botërori i tij i tretë, pasi ishte i pranishëm në Afrikën e Jugut 2010 dhe në Brazil 2014. Në “Rusia 2018” një dëmtim në gjurin e djathtë e la jashtë fushave. Alves do të luajë këtë të premte ndaj Kamerunit, në një ndeshje pa interes për “Selecao”, sepse e ka siguruar tashmë biletën për në 1/8 finale.