Plas keq te Barcelona, Messi sulmon publikisht Eric Abidal
Kaos te Barcelona, atje ku Lionel Messi ka sulmuar publikisht drejtorin sportive, Eric Abidal. Gjithçka ka lindur nga një intervistë e dhënë nga ish-mbrojtësi për mediat iberike duke dhënë arsyet për largimin e Valverdes. “Shumë futbollistë nuk ishin të kënaqur që punon shumë”, ishte fraza e përdorur nga drejtori sportiv që ka sjellë reagimin e ashpër të Messit në rrjetet sociale.
“Sinqerisht nuk më pëlqejnë gjëra të tilla, por mendoj se secili duhet të mbajë përgjegjësi për punën e tij dhe vendimet e veta. Lojtarët për atë çfarë ndodh në fushë dhe ne jemi të parët që e kuptojmë kur diçka nuk shkon mirë.
Në pjesën e menaxhimit, drejtuesit duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre, mbi të gjitha për veprimet që marrin. Së fundmi, mendoj se kur të flitet për lojtarë, duhet të flitet me emra, sepse përndryshe bëhen pis të gjithë. Fjalët që janë thënë nuk janë të vërteta”, ishte replika e argjentinasit.