Po bën namin te Bayerni, ja si e humbi Arsenali Gnabry-n për 5 mln euro
Bayern Munich mori një fitore spektakolare në duelin e parë të fazës së 1/8-ve ndaj Chelsea-t në Londër me shifrat 3-0 duke hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinales. Një nga simbolet e sezonit magjik në Champions League është padyshim Serge Gnabry, i cili shënoi dy gola.
25 vjeçari, i lindur në Gjermani nga një baba nga Bregu i Fildishtë dhe një nënë gjermane, iu desh ca kohë të gjente hapësira te bavarezët, duke u kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm.
Numrat e tij këtë sezon janë të frikshëm: 17 gola dhe 10 asiste në 30 ndeshje, 6 prej golave të shënuar në Champions League. Çuditërisht të gjitha golat janë shënuar vetëm brenda dy ndeshjeve: 2 në “Stamford Bridge” dhe një poker kundër Tottenham në tetor.
Gnabry shkoi te Bayerni për një shifër që sot në merkato është e papërfillshme, vetëm 8 milionë euro, të paguara Werder Bremen në qershor 2017 (kaq ishte klauzola).
Por keqardhja më e madhe është padyshim te Arsenali. Topçinjtë hoqën dorë nga Gnabry në vitin 2016, duke e transferuar te Werder Bremen për vetëm 5 milion euro. Skuadra londineze ishte e para që besoi te vlerat e tij, kur ishte 16 vjeç, por më pas e huazoi te West Bromëich (ku nuk u konsiderua i përshtatshëm për Premier League.
Tashmë Gnabry konsiderohet si një nga elementët më të rëndësishëm të Bayernit, ndërkohë që Arsenali është penduar shumë që nuk besoi në vlerat e tij. /Rozalb Lika-Koha Jone/