Po shkëlqen këtë sezon, Dinamo Zagreb bën gati rinovimin me Arbër Hoxhën
Futbollisti shqiptar Arbër Hoxha po kalon një periudhë të artë në karrierën e tij. Me paraqitje të shkëlqyera dhe gola spektakolarë, ai është shndërruar në liderin absolut të Dinamo Zagreb, duke fituar vlerësimin maksimal të stafit teknik dhe drejtuesve të klubit kroat.
Sipas mediave kroate, palët kanë arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës, që do ta mbajë Hoxhën të lidhur me Dinamon deri në vitin 2029 , dy vite më shumë se marrëveshja aktuale. Zyrtarizimi pritet të bëhet shumë shpejt.
Në kontratën e re është parashikuar edhe një rritje e ndjeshme e pagës, me lojtarin kuqezi që pritet të përfitojë rreth 500 mijë euro në vit, si shpërblim për formën e tij të qëndrueshme dhe kontributin vendimtar në skuadër.
Në këtë sezon, Hoxha ka zhvilluar 16 ndeshje, duke shënuar 3 gola dhe dhuruar 3 asiste, statistika që e kanë vendosur ndër lojtarët më të rëndësishëm të kampionëve kroatë.
Me këtë rinovim, Dinamo Zagreb siguron një prej talenteve më premtues të Superligës kroate dhe një element të rëndësishëm për të ardhmen.
KOHA JONË SONDAZH

