Pogba, Di Maria dhe Perisic, gati të nisë revolucioni te Juventusi
Pas një sezoni të vështirë të mbyllur pa trofe, Juventus kërkon të rikthehet te triumfohet dhe për këtë gjë pritet të jetë shumë aktive në merkato. Tri janë objektivat e mëdha të skuadrës torineze për momentin
Pogba – Francezi, i cili do të largohet nga Manchester, mbetet shumë i lidhur me Juventusin e tij dhe vazhdon t’u japë përparësi bardhezinjve, por negociatat nuk janë të lehta. Pogba duket se preferon një ofertë më të ulët vetëm për t’u rikthyer sërish te skuadra ku u bë i njohur në arenën ndërkombëtare. Bardheznjtë janë gati t’i ofrojnë një kontratë me vlerë 7.5 milionë, që me bonuse shkon 10 milionë euro për tri sezone.
Di Maria – Është bërë një objektiv konkret. Në Francë e japin marrëveshjen si fakt, në realitet palët janë afër, por akordi ende nuk është arritur. Problemet janë në thelb dy: i pari ka të bëjë me pagën, me bardhezinjtë që ofrojnë 7.5 kundrejt një kërkese prej 9. Juventus ka vënë në tavolinë një kontratë dyvjeçare, një kontratë minimale për të përfituar nga Dekreti i Rritjes duke ulur shpenzimet, ndërsa argjentinasi ka shpjeguar vazhdimisht se dëshiron të luajë vetëm një vit më shumë në Evropë.
Ivan Perisic – Bardhezinjtë do të ishin të lumtur t’i rrëmbenin Interit një nga lojtarët më të mirë në këtë sezon. Kontrata e Perisic është pranë skadimit, ndaj dhe klubi torinez mund të përfitojë. Pas një sezoni në super formë, ai dëshiron një pagë në lartësinë e duhur, që shkon në 6 milionë euro, 1.5 më shumë se sa i ofron aktualisht Interi për rinovimin.