Portieri dinamovit nga Librazhdi “kërcënon” Dinamon, nuk “njeh” as Lushnjën, as Beratin
Merkato në Kategorinë e Parë mbyllet me 10 Shkurt 2015 dhe Sopoti nuk ka ndërmend të ndalet. Pas Çarls të Laçit, me ekipin librazhdas janë bashkuar edhe portieri Lamellari (Dinamo), mbrojtësi Kllogjeri (Pogradeci), si dhe sulmuesi Drizaj (Tomori). Kapiteni i Sopotit, Lezi, beson se me këtë ekip Sopoti do të mund ta nisë mbarë pjesën e dytë të garës. – “Sopoti nuk ka konkurrentë, ne fitojmë në Berat dhe marshojmë drejt Kategorisë Superiore,” – shprehet Lezi. “ Me merkaton e bërë nga presidenca jemi më afër se kurrë pranë Superligës. Ish-portieri i Dinamos Lamellari, i cili iu bashkua Sopotit, një ekipi rival, pasi nuk gjeti hapësirë me ardhjen e Kotorrit tek blutë, pretendon se ka kaluar tek skuadra e duhur për të qenë sezonin tjetër pjesë e elitës së futbollit tonë. – “U binda që Sopoti ishte një projekt ambicioz dhe serioz për ngjitjen në Superiore. Zgjodha profesionalizmin sportiv në vend të klaneve e miqësive,” – u shpreh ai pasi iu bashkua ekipit librazhdas, në këtë pjesë të dytë të garës.
Konfirmimi i Florian Brahos: Jam futbollisti i Luftëtarit
Futbollisti Florian Braho konfirmon rikthimin tek Luftëtari i Gjirokastrës dhe beson se me këtë ekip do të arrijë të përmbushë objektivat. – “Për pjesën e dytë të kampionatit do të jem pjesë e Luftëtarit,” – shprehet Braho.
Mile, Shtrepi, Muzhai e Bitri në Berat, Gavajas në Ballsh
Pas sulmuesit Vangjel Mile, me klubin e Tomorit, firmosën edhe Josel Shtrepi dhe Mario Muzhaj. Enea Bitri doli edhe ai në stërvitje me Tomorin, si një përforcim i radhës gjatë merkatos së dimrit. Sakaq, talenti Alush Gavazaj huazohet nga Tirana te Bylisi i Ballshit.
Merkato e Naftëtarit, konkretizohet me dy brazilianë
Naftëtari zyrtarizoi blerjen e sulmuesit brazilian Leandro Dos Santos që në fazën e parë ka luajtur me Burrelin dhe ai ka nisur stërvitje me kuçovarët. Gjithashtu këtë javë është rikthyer në Kuçovë sulmuesi brazilian Nilton De Paula dhe Naftëtari deri në mbyllje të merkatos pret edhe dy blerje të tjera. Ndeshja e parë e këtij viti mes Naftëtarit dhe Shkumbinit do të zhvillohet pa tifoza, për shkak të incidenteve me tifozët e Naftëtarit, në ndeshjen e fazës së parë.
KOHA JONË SONDAZH

