Portieri i Vllaznisë: Do të vdesim në fushë për të marrë një fitore ndaj Kukësit
Vllaznia ka 3 fitore dhe një barazim në 4 sfidat e para, duke qenë kryesues në renditjen e Superiores. Në prag të duelit verior me Kukësin, në “Loro Boriçi”, portieri Bojan Zogovic, që ka pësuar vetëm 2 gola, ka bërë një premtim të madh për përplasjen me Kukësin.
“Ndodhem prej tre muajsh këtu dhe jam përshtatur mirë me skuadrën dhe ambientin. Kam ardhur te një klub shumë i madh. Nga informacionet që kam marr, e di që me Vllazninë kanë luajtur edhe disa lojtarë të tjerë nga Mali i Zi. Sidoqoftë, unë kam ardhur për të lënë shenjë te ky klub.
E kemi nisur sezonin shumë mirë, kemi marrë 10 pikë në 4 ndeshjet e para. Ne e kemi në dorë që ta ruajmë këtë atmosferë shumë pozitive që ekziston tani në skuadër. Shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e ardhshme.
E kam vuajtur gabimin ndaj Tiranës, por për fat ajo ndeshje u fitua nga ne dhe çdo gjë u kalua. Kam patur një dëmtim në dorë para dy javësh, që thuajse ka kaluar tashmë, por kjo nuk më ka bërë asnjëherë të mendoj që të mos jem në portë.
Skuadra po luan mirë dhe, nëse kemi pësuar vetëm 2 gola në 6 ndeshje, kjo do të thotë se kemi bërë mirë në lojën difensive. Në radhët tona kemi lojtarë me përvojë, për rrjedhojë eksperienca e tyre na ka ndihmuar të arrijmë këto rezultate dhe të pësojmë pak gola. Sa i takon ndeshjes me Kukësin, e dimë rëndësinë e saj dhe mund të them se do të vdesim në fushë për të marrë një tjetër fitore.
Kam dëgjuar se tifozët e Vllaznisë janë shumë të zjarrtë dhe më vjen keq që ata nuk i kemi në stadium. Pa pandeminë, besoj se do ta kishin mbushur stadiumin. Kjo do të ishte diçka shumë e mirë edhe për ne futbollistët”.