Pozicionet jashtë loje, arbitra robotë për “Botërorin 2022”
FIFA synon të përdorë robotët si asistentë arbitra dhe planifikon që teknologjia e re të implementohet në kohë për Botërorin 2022. Shefi i teknologjisë në Konfederatën Botërore të Futbollit, Johannes Holzmuller, paraqiti planin e tij për një sistem kompjuterik, i cili do të zëvendësojë asistentët në fushë, me një teknologji, e cila gjeneron automatikisht vijat për pozicionin jashtë loje.
Arbitri kryesor do të njoftohet nëpërmjet alarmit në orën e tij, njësoj si në rastin e teknologjisë së portës. Sistemi do të jetë në gjendje të identifikojë edhe cila pjesë e trupit të lojtarit ndodhet në pozicion jashtë loje.
Teknologjia e re do të jetë aq precize, sa do të llogarisë edhe numrin e këmbës së futbollistëve. Prova e parë e robotëve asistentëve u krye në dhjetor, gjatë Botërorit të Klubeve në Katar, turne i cili u fitua nga Liverpool. Në gjysmën e dytë të këtij viti do të zhvillohen të tjera teste me robotët asistentë, ku synohet që risia teknologjike të jetë funksionale për Kupën e Botës, Katar 2022.