Prapaskena, Jurgen Klop refuzoi stolin e Meksikës sapo mori telefonatën e Liverpulit
Jurgen Klop mund të ishte sot trajneri i Kombëtares së Meksikës. Guilermo Kantu, ish-zyrtar i Federatës Meksikane të Futbollit, ka rrëfyer se kishin nisur bisedimet me ish-teknikun e Borusias së Dortmundit, duke i paraqitur atij një projekt shumë të rëndësishëm me synim Botërorin e Rusisë.
Gjërat po shkonin mirë deri në momentin kur Liverpuli telefonoi gjermanin dhe i propozoi stolin e skuadrës. Klop nuk pati as dyshimin më të vogël dhe zgjodhi menjëherë të shkojë në “Anfield Road”, duke i dhënë karrierës së tij një cikël të jashtëzakonshëm në krye të ekipit anglez, që pas triumfit në Champions League, pret të fitojë titullin kampion pas 30 vitesh.