Prapaskena/ Lewandowski ishte thuajse një lojtar i Genoas, ja si dështoi akordi
Robert Lewandowski për momentin mund të cilësohet si sulmuesi më i mirë në botë. Futbollisti polak ka luajtur deri më tani në Gjermani me Dortmundin dhe Bayernin. Gjithsesi karriera e Levës mund të kishte patur një tjetër rrjedhë pasi në moshën 21-vjeçare kur ishte pjesë e Lech Poznan, Lewandowski mund të ishte transferuar te Genoa në Serie A. Klubi i Enrico Preziosi i ndjek me shumë vëmendje talentet që dalin nga futbolli polak dhe treguesi i kësaj është firma me Piatek.
Në vitin 2010-të Lewandowski i cili kishte shënuar 18 gola në 28 ndeshje me Lech Poznan në kampionat dhe 2 gola në Europa League ishte shumë pranë transferimit te Genoa. Drejtuesit e klubit të Serie A arritën akordin me menaxherin e futbollistit që Leva të bëhej partneri i Rodrigo Palacios në sulm te Genoa dhe madje kaloi me sukses edhe vizitat mjekësore. Ekzistojnë disa versione se pse operacioni dështoi papritur.
Disa flisnin për një problem, që lidhej me komisione tepër të larta, të tjerët për një përpjekje të klubit polak për të rritur çmimin, apo se presidenti Preziosi nuk mbeti i mrekulluar nga fiziku i lojtarit. Më pas Genoa firmosi me Luca Tonin një futbollist i konfirmuar ky në atë periudhë ndërsa Leva po gjatë asaj vere u transferua te Borussia Dortmund për 4 milionë euro.