PRAPASKENA/ Pirlo bllokoi largimin e 3 futbollistëve që po shkëlqejnë te Juvja
Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, bllokoi shitjen e 3 lojtarëve në merkaton e verës. Ai nuk lejoi drejtuesit e klubit që të largonin Merih Demiralin, Adien Rabiot dhe Danilon. Mbrojtësi i qendrës kërkohej me ngulm nga Leicester. Demiral ishte gati të largohej, pasi nuk po luantE si titullar dhe konsiderohej zgjedhje e katërt pas Bonuccit, Chiellinit dhe De Ligt. Gjithsesi strategu i ri e pa pjesë të rëndësishme të projektit të tij, pasi prej kohësh kishte në mendje skemën me 3, e cila kalon në 4 në varësi edhe të aksioneve. Në këtë mënyrë ai kërkonte sa më shumë qendërmbrojtës në dispozicion. Duke parë dëmtimet e shpeshta të Chiellinit, po edhe moshën e Bonuccit, largimi i tij do të ishte një gabim i madh.
Adrian Rabiot nga krahu tjetër kishte disa oferta në Angli. Mesfushori nuk ishte përshtatur si duhet me Serie A dhe po e mendonte seriozisht largimin drejt një klubi anglez. Pirlo ndërkohë besoi te ai duke e aktivizuar menjëherë titullar në shumë ndeshje, teksa koha i ka dhënë të drejtë. Francezi është kthyer në një elementë thuajse të pazëvendësueshëm në mesfushë në saj të fizikut dhe lojës shumë të saktë së bashku me Arthur.
I treti që mund të largohej ishte Danilo. Lojtari i krahut të djathtë dëshironte një klub që i jepte garanci për minutat e luajtura dhe ofertat nuk munguan. Fabrizio Romano bën me dije se ishte trajneri Pirlo që pengoi futbollistët të largoheshin. Si për ironi të fatit, në këtë fillim sezoni, ai është lojtari më i spikatur. I aktivizuar në të gjitha ndeshjet, me minuta të plota, por mbi të gjitha me një freski fizike në aksionet mbrojtëse dhe sulmuese, i aftë të luajë kudo në mbrojtje.