Premier League/ Liverpooli fund dramatik me Fulham, ngec edhe Tottenham
Kanë përfunduar katër ndeshjet e vlefshme për javën e 20-të të Premier League, ku vëmendja kryesore ishte te barazimi zhgënjyes i Liverpoolit në transfertë ndaj Fulham. Sfida në “Craven Cottage” u mbyll 2-2, në një ndeshje plot emocione dhe me fund dramatik.
Fulham kaloi në avantazh që në minutën e 17-të me Harry Wilson, ish-lojtar i Liverpoolit, i cili përfitoi nga një aksion i ndërtuar bukur dhe asistimi i Raul Jimenez. Në pjesën e dytë, “The Reds” reaguan dhe barazuan me Florian Wirtz në minutën e 56-të.
Minutat shtesë dhuruan emocione të forta. Në minutën 90+4, Cody Gakpo i dha avantazhin Liverpoolit, por gëzimi zgjati pak, pasi Harrison Reed barazoi në sekondat e fundit me një goditje spektakolare nga distanca. Pas këtij barazimi, Liverpool renditet i katërti me 34 pikë, ndërsa Fulham mban vendin e 11-të me 28 pikë.
Në takimet e tjera, Newcastle triumfoi 2-0 ndaj Crystal Palace, Brentford fitoi 5-2 në fushën e Everton, ndërsa Tottenham u ndal në barazim 1-1 kundër Sunderland.
KOHA JONË SONDAZH

