Presidentët e Tiranës e të Skënderbeut, debate me FSHF mbi çështjen e gjykimeve
Në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, krerët e disa klubeve të Kategorisë Superiore si ai i Tiranës, Refik Halili, i Skënderbeut, Ardian Takaj, si dhe një zyrtar i lartë i klubit të Apolonisë, lëshuan akuza për garë të pandershme që sipas tyre po prishet nga vetë “aktorët” dhe FSHF si organizatore duhet të jetë më e rreptë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kërkoi që pakënaqësitë dhe pretendimet ata t’i paraqesin me fakte pranë institucionit të futbollit dhe premtoi se do të ketë ndëshkim ndaj cilido që përfshihet në këtë histori, që të mos dëmtohet gara dhe loja e ndershme.
Presidenti i Tiranws
Presidenti i Tiranës, Refik Halili kërkoi që federata të jetë më e kujdesshme në caktimin e arbitrave për ndeshjet ku luajnë skuadrat pretendente për titull. Pjesa e fundit e sezonit në disa kategori e bën edhe më të nxehtë luftën për titull, si për mbijetesë apo për objektivin në Kupat e Europës. Gjykimi i arbitrave mbetet një çështje delikate në ambientet shqiptare të futbollit ku shpesh herë nuk kanë munguar polemikat në drejtim të “bluzave të zeza”. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, kreu i Komitetit të Arbitrave, Tahir Kastrati, bëri një rezyme të punës së tyre dhe mbrojti integritetin e arbitrave. Por pikërisht pretendimet e tij ngjallën edhe më shumë debate. Refik Halili kërkoi që federata të jetë më e kujdesshme në caktimin e arbitrave për ndeshjet ku luajnë skuadrat pretendente për titullin. – “Ndeshjet mes 4 ekipeve kryesore duhet të arbitrohen nga arbitra të përgjegjshëm. Nuk është mirë që për shkak të vendimeve të tyre të gabuara të hidhet poshtë investimi i një viti të tërë. Unë gjithsesi jam kundër arbitrave të huaj.” I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të federatës, Armand Duka, i cili u shpreh se federata punon në këtë aspekt çdo ditë për të caktuar arbitra me integritet në çdo kategori edhe pse gabimet e tyre në disa ndeshje të kategorive inferiore kanë qenë të dukshme.
Skënderbeu e Apolonia
Më tej, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj kërkoi përgjigje për mungesën e masave ndaj arbitrave që kanë gabuar. “Përse nuk janë marrë masa, ndaj arbitrave që kanë gabuar në disa ndeshje rresht?.” Në vazhdim të debateve, përfaqësuesi i Apolonisë kërkoi që arbitrat të mos kenë paragjykime ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla dhe të mëdha, ndërsa presidenti i Luzit hodhi akuza të drejtpërdrejta. –“Një pjesë e delegatëve dhe të dërguarve të federatës nuk bëjnë punë e tyre. Ata tjetërsojnë realitetin në raportet që hartojnë. Është viti i tetë që investoj në futboll por jam shumë i zhgënjyer. Kemi të drejtë të kërkojmë llogari ndaj zyrtarëve të federatës që vijnë në ndeshjet tona sa për të marrë rrogat. “ Një reagim ky që hasi në kundërpërgjigjen e Dukës, i cili i siguroi përfaqësuesit e klubeve që kanë pakënaqësi se nëse i vërtetojnë akuzat, atëherë masat ndaj përfaqësuesve të federatës që bëjnë shkelje me raportet, do të jenë drastike
KOHA JONË SONDAZH

