Presidenti Duka uron FFK-në me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në emër të gjithë komunitetit të futbollit në vend i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në kuadër të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Duka shprehet se në këto vite Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në futboll, duke u bërë anëtare e qeverive europiane dhe botërore të futbollit, UEFA dhe FIFA si dhe përmes rezultateve pozitive ka bërë jehonë në botë, duke përmirësuar imazhin e vendit. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shpreh vullnetin që të dyja institucionet e futbollit të vijojnë me punën për të finalizuar projektet e përbashkëta.

Letra e Presidentit Armand Duka për homologun e tij të Kosovës:

I nderuar President,

I nderuar z. Agim,

Me rastin e përvjetorit të 13-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë anëtarëve të familjes së madhe të futbollit shqiptar, urimet më vëllazërore për këtë ditë të shënuar për të gjithë shqiptarët, festën e Pavarësisë!

Prej 13 vitesh si shtet i pavarur dhe sovran, Kosova ka shënuar përparime të jashtëzakonshme duke qenë anëtare me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA. Rritja e vazhdueshme e rezultateve sportive ka bërë jehonë ndërkombëtare dhe ka përmirësuar imazhin kudo në botë. Futbolli ka arritur të thyejë ato barriera që në shumë fusha të tjera nuk janë tejkaluar, duke ndihmuar Kosovën në procesin e njohjes.

Marrëdhëniet tona të shkëlqyera institucionale na nxisin që të punojmë gjithmonë e më shumë në rritjen e futbollit mbarëkombëtar dhe finalizimin e projekteve tona të përbashkëta.

Me urimet më të mira për ju, anëtarët tuaj dhe gjithë popullin e Kosovës, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

SHKARKO APP