Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka: Mirëpresim evente madhështore në vitin 2025
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në prag të festës së ndërrimit të viteve ka bërë një mesazh urimi për komunitetin shqiptar të futbollit, ku ka folur për arritjet e mëdha përgjatë vitit 2024 dhe objektivat e reja për vitin që vjen.
Në mesazhin e tij, Presidenti Duka ndër të tjera përmend pjesëmarrjen dinjitoze të Kombëtares shqiptare në finalet e EURO 2024, krijimin e “Elite Youth Development Academy”, mbajtjen në Tiranë të katër takimeve të rëndësishme europiane të UEFA-s, organizimi i dhjetëra turneve ndërkombëtare në Shqipëri, investimet në infrastrukturë dhe në sektorin e edukimit sportiv.
“Me krenari më duhet të them se po e mbyllim këtë vit me një përfaqësim dinjitoz në arenën Ndërkombëtare. Për herë të parë u organizuan në Tirane katër takime të rëndësishme europiane të UEFA-s: ai i strategjisë së 55 federatave anëtare, Paneli i UEFA Grassroots, Mbledhja e Qëndrueshmërisë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale si dhe Komiteti i Medias”, është shprehur Duka.
Gjithashtu, ai ka folur edhe për eventet e rëndësishme që ka rezervuar 2025-a, duke nisur nga mbrëmja GALA e FSHF, organizimi i kampionatit europian për U-17 në 4 qytete të Shqipërisë, mbajtja e mbledhjes së rradhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë dhe ndeshjet kualifikueset për kampionatin botëror dhe Nations League për Kombëtaren e djemve dhe vajzave.
“Uroj që përveç këtyre arritjeve e programeve, viti i ri të sjellë për ju vajza e djem që e doni futbollin, ligjin e shumë kërkuar e të domosdoshëm të sponsorizimeve në sport”, uroi kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit.
/a.f/