Presidenti i FIFA-s: Ta mposhtim “Coronavirus” me fuqinë e futbollit!
Futbolli është gjunjëzuar prej këtij virusi të frikshëm, ashtu siç po kalon në karantinë mbarë globi. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mundohet të përcjellë optimizëm. Ai kërkon që të përdoret “fuqia e futbollit” për t’i ndërgjegjësuar njerëzit që të ndjekin rekomandimet e OBSH në lidhje me “Covid-19”.
“Tani duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur tifozët, lojtarët, trajnerët dhe të gjithë të tjerët, të përfshirë në lojën tonë të bukur. Mbi të gjitha, autoritetet e futbollit duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar një përhapje më të gjerë të virusit.
Në bashkëpunim me OBSH, ne jemi duke inicuar nisma ndërgjegjësimi të projektuara për të ofruar rekomandime praktike dhe masa për të përballuar përhapjen e Covid-19. FIFA do të mbetet në kontakt me të gjitha organet kompetente dhe shpreson që në një kohë sa më të shejtë të gjendet zgjidhja për këtë periudhë të vështirë.
Futbolli do të jetojë. Shëndeti në radhë të parë dhe solidariteti sportiv duhet të jenë parimet kryesore, që udhëheqin procesin e vendimmarrjes në këtë moment të rëndësishëm. Jam i sigurt që i gjithë komuniteti i futbollit do të jetë në lartësinë e vlerave që përçon sporti ynë.
Sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti besoj se do të luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar botën tonë të rimarrë veten, sapo t’i kthehemi normalitetit. Rrethanat e vështira ofrojnë mundësi që njerëzit të bashkohen dhe të tregojnë se çfarë mund të bëjnë në një frymë kolektive dhe të dalin më të fortë e më të përgatitur për të ardhmen. Ne e dimë se ky është një nga ato momente”.