Presidenti Meta dekoron 4 futbollistë të Dinamos dhe të Shqipërisë: Shembull frymëzimi e krenarie kombëtare!

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne, katër futbollistë të shquar të ekipit “Dinamo” dhe atij Kombëtar shqiptar. Kreu i Shtetit i akordoi ish-futbollistit dhe trajnerit Skënder Jareci (pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” “Për kontributin e madh në zhvillimin e sportit, si një nga qendërsulmuesit më të mirë të historisë të futbollit shqiptar.  Trajner strateg në drejtimin e skuadrës ‘Dinamo’ me metodat bashkëkohore, duke përgatitur breza lojtarësh cilësorë me rezultate të shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” u çmuan:

Vasillaq Zëri (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e madh në zhvillimin e sportit, si një nga futbollistët më të shquar të ekipit ‘Dinamo’ dhe atij Kombëtar. I dalluar për talentin dhe aftësitë e tij të shkëlqyera: ‘legjendë’ e futbollit shqiptar, sportist model, burim frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj.”

May be an image of 6 njerëz, people standing dhe E brendshme

Gani Xhafa, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe rezultatet e larta në futboll me ekipin ‘Dinamo’ dhe atë Kombëtar, si dhe në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare. Trajner i përkushtuar në zhvillimin cilësor të këtij lloj sporti.”

Andrea Marko, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe karrierën e suksesshme si futbollist e trajner. I dalluar për cilësitë e shquara dhe kontributin e çmuar në sukseset e ekipeve ‘Dinamo’ dhe ekipit Kombëtar. Mesfushor plot fantazi, pasion e golashënues i spikatur.”

May be an image of 2 njerëz

Në fjalën e Tij, Presidenti i Republikës duke iu drejtuar sportistëve kampionë të futbollit, trajnerëve e veteranëve të sportit më të dashur të shqiptarëve, miqve dhe familjarëve të tyre, drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit e gazetarëve sportivë, u shpreh:

“Të nderuar personalitete të futbollit tonë, atij kombëtar, të Dinamos edhe të gjithë ekipeve të tjera dhe të gjithë fushave të tjera të sportit.

Kam kënaqësinë sot së bashku me ju të nderoj disa nga futbollistët e mëdhenj, ikona të ekipit ‘Dinamo’ dhe të ekipeve tona Kombëtare. Ata janë një pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit, e sportit më popullor dhe të dashur të shqiptarëve. Këto personalitete, që vlerësojmë sot, janë të njohur nga i gjithë opinioni sportiv dhe nga gjenerata të ndryshme, pasi me sukseset e tyre, kanë arritur rezultate të shkëlqyera dhe na kanë bërë të ndjehemi krenarë.

Përveç karrierës së suksesshme, gëzimi dhe emocionet që ata i kanë dhënë bashkëqytetarëve tanë, janë më të rëndësishme edhe se vetë trofetë e medaljet e fituara. Kemi nderin sot të vlerësojmë të paharruarin, një figurë të jashtëzakonshme të futbollit tonë, por njëkohësisht dhe një trajner të madh, siç ka qenë profesor Skënder Jareci, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në periudhën kur ka qenë titullar i ‘Dinamos’, por edhe i Ekipeve tona Kombëtare.

May be an image of 2 njerëz dhe people standing

Jareci është një nga emrat më të kompletuar, me një intuitë të rrallë, krijues, organizator dhe improvizues, fitues i shumë kampionateve, kupave, pjesëmarrës në mbi 40 ndeshje kombëtare, 3 herë shënuesi më i mirë i vendit dhe ndër protagonistët kryesorë jo vetëm të ‘Dinamos’, por edhe të Ekipeve tona Kombëtare.

Në veçanti ai kujtohet nga të gjithë si një trajner strateg në drejtimin e ekipit, duke futur metoda të reja, inovatore në stërvitje dhe në stilin e lojës. Vasillaq Zëri gjithashtu ka qenë një lojtar jashtëzakonisht virtuoz, i paharruar për të gjithë ata që e kanë ndjekur futbollin shqiptar, i vlerësuar për teknikën magjike dhe që ndryshonte gjithmonë ritmin, por dhe rezultatin e lojës.

Me fantazinë dhe zgjuarsinë e tij, ai mbetet një model i futbollit modern. Është fitues i shumë kampionateve, Kupave të Republikës, Kampion i Ballkanit me Shpresat, golashënues spektakolar i ‘Dinamos’, por njëkohësisht dhe një trajner shumë frymëzues për fëmijët edhe për të rinjtë.

Me këtë rast dua t’iu shpreh familjeve të nderuara të Skënder Jarecit dhe Vasillaq Zërit respektin më të madh, për njerëzit e tyre të dashur, duke kujtuar prestigjin dhe vlerat e jashtëzakonshme, që ata i kanë dhënë sportit dhe futbollit në veçanti, me kulturën e tyre sportive, por edhe qytetare. Gani Xhafa është një nga figurat më të shquara të skuadrës “Dinamo” dhe Ekipit Kombëtar. Me  një karrierë shumë të suksesshme dhe një kontribut të spikatur si futbollist, trajner dhe drejtues.

Karriera e tij me ‘Dinamon’ është e mbushur plot me tituj Kampionë, fitues Kupash dhe në vitin 1973 është shpallur edhe lojtari më i mirë i kampionatit tonë. Ai ka luajtur me sukses në shumë ndeshje ndërkombëtare, me Ekipin Kombëtar, me ‘Dinamon’, me ‘17 Nëntori’-n dhe skuadra të tjera. Andrea Marko, është një tjetër futbollist i talentuar i shkollës ‘Dinamovite’, një nga mesfushorët më të shquar të kësaj skuadre dhe Ekipit Kombëtar në vitet ’70 – ‘80. Ka luajtur mbi 400 ndeshje me ‘Dinamon’ e madhe, por dhe ka shënuar gati 100 gola. Edhe pse nuk ishte sulmues i mirëfilltë, ai ishte lojtar plot fantazi, karakter, teknikë të mrekullueshme, i rrezikshëm për kundërshtarët, plot pasion edhe gjithmonë fitimtar në duelet e tij.

Kampion, fitues Kupash dhe fitues dhe i anketës 11 futbollistët më të mirë në disa vite. Është shpallur Kampion Ballkani me ekipin Kombëtar Shpresa në vitin 1978, ku u arrit një fitore e pabesueshme, nga 3-1 që ishim mundur, kemi fituar 7-1 falë edhe një brezi të artë, siç ishte Ekipi Shpresa i Demollarit me vonë, që u kualifikua deri me Italinë, pak a shumë e njëjta shpresë ishte edhe atëherë, me Markon, Bajazitin, Ballgjinët, Agustinin, Mingën e shumë emra të tjerë të mëdhenj të asaj periudhe.

Andrea Marko ka treguar gjithmonë klasin e tij si futbollist profesionist, por njëkohësisht edhe ka kontribute të vazhdueshme edhe si trajner me ekipet zinxhir dhe me ekipe të tjera në Superligën tonë. Dhe jo vetëm kaq, por njëkohësisht edhe vazhdon është mjaft aktiv si komentator, analist, kritik dhe si gjithmonë dashamirës dhe përkrahës i sportit në opinionin publik.

Shembulli dhe virtuoziteti i këtyre personaliteteve është gdhendur në kujtesën e sportdashësve tanë dhe është shkruar me gërma të arta në historinë e futbollit tonë. Këto tituj nuk janë vetëm një vlerësim për punën, sakrificat dhe kontributin e jashtëzakonshëm, por njëkohësisht shpresoj të jenë edhe një nxitje, një frymëzim për ta mbështetur më shumë sportin.

Sporti është krenari kombëtare, sepse sporti angazhon dhe gjallëron një komunitet të tërë. Mbi të gjitha sporti kalit një karakter të fortë, në një kohë kur veset janë shumë të shpërndara dhe sidomos kur fëmijët dhe të rinjtë janë më të rrezikuar dhe më të prekurit prej tyre. Duhet ta mbështesim më shumë sportin, të gjithë së bashku, t’i nderojmë më shumë sportistët dhe të shtojmë të gjitha mundësitë që kjo traditë të ruhet. Shpresojmë që ‘Dinamo’ të kthehet fuqishëm në futbollin tonë sepse fanella e ‘Dinamos’ është shumë e rëndë, jo vetëm në futbollin tonë. Shpresojmë që këtë fanellë ta shohim në Superligë sa më parë që të jetë e mundur dhe shpresoj se kjo është dëshira dhe ëndrra e të gjithëve ju.”

May be an image of një ose më shumë njerëz dhe people standing

SHKARKO APP