Presidenti Meta nderon me urdhërin e lartë ish-volejbollistin e famshëm
Presidenti Ilir Meta ka nderuar me urdhërin e lartë ‘Kalorës I Urdhërit të Skënderbeut’ ish-volejbollistin e famshëm Hysen Domi, me motivimin për rezultate të shkëlqyera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
‘Në vlerësim të personalitetit të tij të gjithanshëm në sport dhe në jetë, duke dëshmuar cilësi të rralla drejtuese dhe organizmi në fushën e lojës, si dhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kisha nderin të vlerësoja me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, ish-volejbollistin tonë të shquar, Hysen Domi.
Ceni, siç e njeh bota e sportit, i dha jetë volejbollit të qytetit të Elbasanit dhe falë cilësive e inteligencës së tij të jashtëzakonshme, ia arriti ta rendisë ekipin e këtij qyteti ndër skuadrat më të forta të vendit, duke u bërë një model sportiv i patjetërsueshëm dhe një simbol për të rinjtë e të rejat e brezit të tij dhe jo vetëm.
Titullar i Ekipit Kombëtar të volejbollit dhe njëkohësisht i skuadrave më të mira të asaj kohe, ‘Dinamo’ dhe ‘Partizani’, kontributi i tij në zhvillimin cilësor të sportit shqiptar u kthye në një shembull frymëzimi për të gjithë. Me virtyte të larta, vizionar dhe një sportist elitar i mrekullueshëm, Domi mbetet një sinonim i korrektësisë, urtësisë dhe vlerave qytetare, por edhe i aftësive drejtuese si Kryetar Bashkie i Elbasanit dhe i organizatave më të rëndësishme sportive në vend.’