Prestigjiozja “AS” speciale për Uzunin: Mund të debutojë me “Siuuu-n” ndaj Realit!
Myrto Uzuni i surprizoi të gjithë me transferimin në orët e fundit të merkatos së janarit te ekipi i Granadas, që është pjesë e La Ligas. Prestigjiozja AS i ka kushtuar lojtarit një speciale, ndërsa presin që Uzuni të debutojë me gol në Bernabeu dhe të festojë në mënyrën e Cristiano Ronaldos që është edhe idhulli i tij.
“Myrto Uzuni nuk ka pasur një jetë të lehtë, një autodidakt i futbollit që si idhull ka Cristiano Ronaldon dhe që tashmë vjen në La Liga si pjesë e Granadas. Është një bast për Grandën në merkaton dimërore teksa klubi ka shpenzuar tre milionë euro. Uzuni është një lojtar që di të shënojë, ka ambicie dhe Lufton shumë.
Uzuni e arriti famën më datë 25 nëntor të vitit 2020 teksa në Juventus Stadium, shënoi gol me Ferencvaros në një sfidë që vlente për ndeshjet e grupeve në Champions League. Një gol që i dha avantazhin hungarezëve para idhullit të tij, Ronaldo.
Por, Uzunit “nuk iu drodh qerpiku” dhe festoi në mënyrën e portugezit me “Siuuu-n” e famshme. Në fillim, Ronaldo nuk u ndje mirë, por në fund Juventusi fitoi dhe CR7 shënoi gol, ndaj nuk pati vend për mëri. Pas ndeshjes, Uzuni pati mundësinë ta takonte nga afër idhullin e tij dhe të ndërronte fanellën me të. Ky është edhe një nga trofetë më të çmuar për Uzunin.
Shqiptari ka lexuar gjithçka për portugezin, ndërsa jeta e tij vetë nuk ka qenë e lehtë. Iu desh të shndërrohej në një emigrant ilegal në Greqi, ndërsa familja pagoi shumë për t’u transferuar atje. Prindërit e tij punuan fort për ta çuar familjen përpara, por Uzuni si një ilegal nuk mund të luante futboll. Kështu, u kthye në vendin e tij të origjinës dhe në moshën 16-vjeçare nisi të luante futboll në Shqipëri. Edhe kjo ishte një sakrificë e madhe e familjes që la “jetën e re” në Greqi për të mbështetur ëndrrën e djalit të tyre. Megjithatë, sakrifica është shpërblyer teksa Uzuni jeton me futbollin, pasionin e tij.
Ai thotë se Cristiano është frymëzimi i tij, teksa të dielën do të shkelë në fushën e stadiumit Santiago Bernabeu, tempullin ku idhulli i tij u bë një nga më të mëdhenjtë e historisë, ndërsa Uzuni ëndërron që ashtu si Ronaldo, të ketë mundësinë të festojë me “Siuuu”, shkruhet në speciale e AS.

KOHA JONË SONDAZH

