Prezantohet Ferrari SF-26, zbret menjëherë në pistë me Hamilton
Në një atmosferë tipike dimërore, mes një dite të zymtë mbi Maranello dhe zonat përreth, ka nisur zyrtarisht aventura e re e Ferrari SF-26, njëvendëshja mbi të cilën Skuderia vendos të gjitha shpresat për t’u rikthyer konkurruese pas një sezoni 2025 zhgënjyes në çdo aspekt.
Makina e re e Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton u prezantua zyrtarisht paraditen e sotme, në orën 11:30, me debutimin e saj në pistën historike të Fioranos. I pari që u ul në timon ishte Lewis Hamilton, i cili kreu një installation lap në kushte piste të lagur, me ritëm të kufizuar për arsye sigurie. Xhiroja përfundoi në vijën e finishit, ku SF-26 u rrethua menjëherë nga inxhinierët dhe mekanikët e ekipit për kontrollet e para teknike.
Ferrari SF-26 ruan identitetin klasik të skuadrës me ngjyrën e kuqe tradicionale, por këtë vit bie në sy rikthimi i ngjyrës së bardhë në zonën e kokpitit dhe të kapakut të motorit, një zgjedhje estetike që rikujton disa nga monopostot historike të Ferrarit në Formula 1. E njëjta linjë kromatike reflektohet edhe në veshjen zyrtare të ekipit, përfshirë dy pilotët.
Në dizajn nuk mungon as ngjyra blu e sponsorit kryesor HP, e pranishme si në kapakun e motorit ashtu edhe në krahun e pasmë, duke kompletuar pamjen e një Ferrari që synon të bashkojë traditën me modernitetin.
Me daljen e parë në pistë të SF-26, Ferrari hap zyrtarisht një kapitull të ri, me synimin për t’u rikthyer në majat e Formula 1 dhe për të lënë pas një sezon që nuk përmbushi pritshmëritë e tifozëve të Cavallino Rampante.

KOHA JONË SONDAZH

