Prindërit i humbën jetën në aksidentin në Greqi, Armando Duka ngushëllon trajnerin
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Veria të Greqisë, ku kanë humbur jetën prindërit e trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka shkruar një mesazh ngushëllimi drejtuar ish-futbollistit.
“Mendimet e mia shkojnë te Albani”, shprehet ai ndërsa e ngushëllon për largimin para kohe nga jeta të prindërve të tij.
Mesazhi i plotë:
Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.
Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore.
Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Qoftë kujtimi i tyre i paharruar!