PSG bën gati dhuratën për Luis Enrique-n, është sulmuesi i Dortmundit
Paris Saint-Germain, ndërsa ëndërron të mbyllë sezonin me trofeun e Champions League, ka hedhur sytë drejt merkatos së verës dhe po punon për të përforcuar repartin ofensiv me një “numër 9” të mirëfilltë. Sipas raportimeve nga “Bild”, Serhou Guirassy është objektivi kryesor i klubit parizien.
Sulmuesi i Guinesë, që këtë sezon është pjesë e Borussia Dortmund, ka bërë një sezon fantastik, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, ku ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 5 asistime në 14 ndeshje.
Në total, në të gjitha kompeticionet, Guirassy ka realizuar 33 gola dhe ka dhuruar 9 asistime, duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme që kishte treguar më parë te Stuttgart, gjatë kampionatit 2023/24. Këto shifra kanë tërhequr interesin e shumë klubeve të mëdha: Milani dhe Juventusi janë në pritje të zhvillimeve, ndërsa Chelsea tashmë ka nisur kontaktet paraprake.
Guirassy ndodhet në kulmin e karrierës së tij dhe ky mund të jetë shansi i fundit për të bërë hapin drejt një klubi elitar europian. PSG shihet si një destinacion shumë joshës, ndërkohë që klubi ka forcën financiare për të realizuar transferimin. Dortmundi kërkon 70 milionë euro, një shumë që PSG mund ta mbulojë pjesërisht përmes shitjes së Randal Kolo Muani, për të cilin është interesuar shumë Juventusi për ta mbajtur në Torino. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

