PSG hakmerret me “poker” ndaj Barcelonës, Liverpooli fiton me lehtësi ndaj Leipzig (VIDEO)

PSG dhe Liverpool hedhin një hap drejt fazës çerekfinale. Skuadra e Pochettinos mori hak për humbjen 6-1 të vitit 2017, duke fituar me përmbysje spektakolare 4-1 në “Camp Nou”.

Katalanasit në fakt do të ishin të parët që do të zhbllokonin rezultatin në minutën e 27-të me Messin nga pika e bardhë.  Reagimi i PSG ishte i menjëhershëm duke barazuar vetëm pas 5 minutash lojë. Kylian Mbappe me një veprim të shpejt në zonë nuk i jep asnjë shans reagimi portierit Ter Stegen. Pjesa e dytë ndërkohë foli e gjitha për skuadrën franceze, që do të shënonte golin e avantazhit me Mbappe në minutën e 65-të.

Katalanasit janë të përgjumur në mbrojtje, teksa diçka e tillë shfrytëzohet nga Moise Kean që shënoi dhe golin e tretë në minutën e 70-të. Spektakli nuk kishte përfunduar këtu, teksa 5 minuta nga fundi Mbappe kompletoi tripletën e tij personale. Pa Neymar dhe Di Maria ai është lideri i ekipit francez.

Liverpooli ndërkohë mori një fitore të thjeshtë 2-0 në trasfertën ndaj Leipzig. Në minutën e 53-të, Salah përfitoi nga një top i kthyer gabimisht pas, duke ndëshkuar ekipin gjerman. Gabimet nuk mbaruan këtu, pasi 5 minuta më pas edhe Mane do ta kishte të thjeshtë për të shënuar përballë portierit. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP