PSG ka arkëtuar mbi 200 milionë euro nga fitimi i trofeve në sezonin e kaluar
Sezoni 2024/2025 do të mbetet i paharrueshëm në historinë e Paris Saint-Germain. Klubi francez dominoi në të gjitha frontet, duke fituar Ligue 1, Trophée des Champions, Kupën e Francës dhe Champions League. Vetëm finalja e humbur në Botërorin e Klubeve ndaj Chelsea-t i mohoi parizienëve një “poker” të plotë trofesh.
Suksesi nuk u reflektua vetëm në fushë, por edhe në bilancet financiare. Sipas një raporti të publikuar nga “Football Benchmark” mbi kampionët kombëtarë të sezonit të kaluar, PSG ka shënuar tregues ekonomikë shumë pozitivë.
Klubi e mbylli vitin financiar me një humbje neto prej 40 milionë eurosh, por arriti të ulë ndjeshëm kostot. Fatura e pagave u reduktua me 18%, duke zbritur nga 668 në 547 milionë euro, pjesërisht falë largimit të Kylian Mbappé. Aktualisht, pagat përbëjnë 65% të të ardhurave totale, një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me 109% në sezonin 2021/2022 dhe 83% në 2023/2024.
Në aspektin e të ardhurave, PSG regjistroi një rekord historik prej 837 milionë eurosh. Nga këto, 367 milionë erdhën nga aktivitetet komerciale, 293 milionë nga të drejtat televizive, përfshirë Ligue 1, marrëveshjen me CVC dhe kompeticionet ndërkombëtare, ndërsa 177 milionë euro u siguruan nga të ardhurat e stadiumit. Krahasuar me sezonin e kaluar, rritja është 4%, ndërsa diferenca me sezonin 2020/2021 (570 milionë euro) është thelbësore.
Që nga ardhja e “Qatar Sports Investments” në vitin 2011, xhiroja e klubit është rritur nëntëfish. Vendimtare për këtë bum financiar ishte ecuria në Evropë: triumfi në Champions League solli 154 milionë euro, ndërsa pjesëmarrja në Botërorin e Klubeve gjeneroi edhe 38.4 milionë euro të tjera.
KOHA JONË SONDAZH

