Qazim Laçi: Krenari që të debutosh me Kombëtaren e madhe!

Një ndër prurjet e reja për sfidat me Bjellorusinë dhe Lituaninë te Shqipëria është edhe Qazim Laçi. Talenti është shfaqur i emocionuar, por i gatshëm për të dhënë më të mirën me fanellën kuqezi.

“Është një konkurrencë e madhe për mua dhe të gjithë lojtarët në kombëtare. Jemi shumë lojtarë që luajmë në Europë. Të gjithë do të luftojmë për një vend. E njoh mirë ekipin, e kam parë rregullisht, kam luajtur me shumë lojtarë te Shpresat dhe e di pak a shumë se çfarë konkurrence më pret.

Do të ishte krenari e madhe për mua, të debutoj me kombëtaren e madhe. Kam vite që e pres këtë shans. Në të gjitha moshat kuqezi e kam pasur këtë ëndërr. Ku ka më mirë se të luash me ekipin A. Kombëtarja do të më ndihmojë shumë në karrierë, edhe pse për mua kjo fanellë është krenari.

Si kush duhet të bëhem në kombëtare? Mesfusha ka pasur mjaft lojtarë të shquar. Sidoqoftë, për mua ka rëndësi që ekipi të fitojë. Kemi një shans të mirë për të kryesuar grupin.

Ecuria me Ajaccio? Kishim shumë shanse për t’u futur në kategorinë e parë, por çfarë të bëjmë. Federata Franceze e anuloi kampionatin dhe nuk u ngjitëm në fund. Objektivi në nivel klubi? Sigurisht do doja të luaja në kategorinë e parë. Çdo lojtar punon që të arrijë sa më lart. Edhe unë këtë objektiv kam. Nuk shikoj ekipin, por dua të arrij sa më lart”, deklaroi Qazim Laçi.

SHKARKO APP