Qeveria u hoqi pasaportat diplomatike, Gianni de Biasi: Mos doni të kthej dhe “Urdhrin e Skënderbeut”?
Gianni de Biasi është prekur nga vendimi për të dorëzuar pasaportën diplomatike brenda datës 1 qershor. Italiani ishte trajneri i Shqipërisë në “Euro 2016” dhe pas kualifikimit historik, u pajis edhe ai së bashku me skuadrën me pasaportë diplomatike. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, dje bëri me dije vendimin për të dorëzuar dokumentin brenda datës 1 qershor 2021, dhe kjo e ka kapur në befasi. ”Më duket absurde. Pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026, pse duhet ta dorëzoj 5 vite më parë?”, thotë ai për ”Panorama Sport”.
Mister, a e dini që duhet të dorëzoni pasaportën diplomatike që keni marrë në vitin 2016 në Shqipëri?
Jo, nuk e di. Më duket e çuditshme. Absurde madje. Nuk shoh asnjë motiv për ta bërë këtë.
Një shkresë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ka mbërritur në zyrat e FSHF-së dhe kërkohet që të dorëzohen pasaportat diplomatike brenda datës 1 qershor 2021, pasi mbaron vlefshmëria e tyre…
Më habit kjo gjë. Së pari duhet të saktësoj se unë nuk kam marrë asnjë njoftim zyrtar. Thjesht jam informuar nga mediat. Nëse do të ndodhte vërtet kështu, pa dyshim që ndiej keqardhje dhe jam i surprizuar me një vendim të tillë.
Pse ju vjen keq?
Shikoni, dhënia e atij dokumenti (pasaporta diplomatike) është një shenjë mirënjohjeje apo vlerësim i shtetit kundrejt shtetasve të tij. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje, as nuk ia kam njollosur kurrë imazhin e Shqipërisë diku, përkundrazi mendoj se kam punuar mirë për sa kohë isha aty dhe kam folur vetëm mirë për Shqipërinë sa herë që më është dhënë rasti. Kam vepruar kështu sepse këtë kam ndier, vetëm dashuri, respekt dhe mirënjohje nga Shqipëria dhe shqiptarët. Por, nëse tani më kërkojnë që ta kthej mbrapsht atë dokument, natyrisht që më lë një shije të hidhur. Nuk gjej motiv. Pse duhet ta kthej mbrapsht pasaportën diplomatike kur ajo skadon pas 5 vitesh? Më duket pa kuptim…
Nëse ju vjen zyrtarisht njoftimi, çfarë do të bëni?
Do të kërkoj shpjegime patjetër. Është një gjë që më bezdis shumë, sepse e konsideroj si një mirënjohje atë veprim dhe tani befas ma kërkojnë mbrapsht. Unë nuk i kam bërë asnjë dëm dhe asnjë të keqe Shqipërisë pasi mbarova kontratën e punës aty. Atëherë i bie që duhet të kthej mbrapsht edhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” që më është dhënë nga Presidenti i Republikës asokohe? Më thoni pak, a ka kuptim kjo…?