Ramadani flet si lider te Lecce: Të vazhdojmë kështu dhe të sigurojmë mbijetesën!
Mesfushori i Lecces, Ylber Ramadani, ka folur pas fitores 2–1 ndaj Cremoneses, në një prononcim për DAZN, duke theksuar rëndësinë e suksesit dhe mbështetjen e tifozëve në stadium.
“Pierotti realizoi një gol shumë të bukur. Ai e ndiente që do të shënonte sot. Bëri një ndeshje të madhe dhe ne duhet të vazhdojmë kështu, sepse na kanë mbetur edhe dhjetë ndeshje deri në fund”, u shpreh mesfushori shqiptar.
Ai foli edhe për momentin kur përshëndeti tifozët në stadium pas përfundimit të takimit, duke theksuar rolin e madh që ata luajtën në fitoren e skuadrës.
“Për mua është shumë e rëndësishme, sepse dua të arrijmë mbijetesën. Sot stadiumi ishte plot dhe të gjithë ndihmuan ekipin për të marrë tre pikët. Pa ta nuk do të kishim arritur asgjë. Duhet të vazhdojmë kështu”, tha Ramadani.
Mesfushori zbuloi gjithashtu se para ndeshjes skuadra kishte parë një video motivuese, e cila i ndihmoi lojtarët të hynin në fushë me më shumë vendosmëri.
“Ne pamë një video për gjithë sakrificën që kemi bërë që nga fillimi i kampionatit. Kemi pasur vështirësi, por tani jemi në një moment të mirë. Ishte një video motivuese”, përfundoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

