Ramadani: Na presin dy ndeshje të rëndësishme, jam gati të jap kontributin tim!

Ylber Ramadani luajti nga minuta e parë në vëllazëroren e fituar kundër Kosovës. Mesfushori që aktivizohet në Danimarke, doli në një konferencë për shtyp nga ambienti i grumbullimit të Kombëtares Shqiptare, ku foli për dy takimet e radhës dhe shprehu gatishmërinë për të luajtur sërish nga minuta e parë.

A besoni se mund të përsëritim suksesin edhe në dy ndeshjet e ardhshme?

Janë të dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe duam të marrim maksimumin. Duhet t’i marrim me radhë dhe të bëjmë më të mirën, duke luajtur të përqendruar. Besoj se do t’ia dalim të marrim rezultatet që duam.

Mund të na penalizojnë mungesat për dy takimet e radhës?

Mund të ndikojnë pak, por gjithsesi të gjithë që janë këtu, janë gati të bëjnë shumë mirë në fushë. Dihen vlerat e atyre që mungojnë, por kemi në grup futbollistë që mund t’i zëvendësojnë dhe të bëjnë po aq mirë. Jemi një grup që punojmë prej kohësh bashkë dhe dimë mirë të përshtatemi me njëri-tjetrin.

E shikon veten pjesë të formacionit për ndeshjet e radhës?

Unë vij gjithmonë për të luajtur, por formacionin e vendos trajneri. Unë jam gati të bëj më të mirën në stërvitje dhe sa herë të më jepet rasti në fushën e lojës, për të shpërblyer besimin.

SHKARKO APP