Rasti pozitiv te skuadra e Bylis, reagon edhe FSHF
FSHF ka reaguar vetëm pak para rifillimit të kampionatit në lidhje me rastin pozitiv me koronavirus te skuadra e Bylis. Institucioni më i rëndësishëm i futbollit në vend, njofton se është ndjekur protokolli teksa futbollisti Qerdaku është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i karantinuar.
Njoftimi për shtyp
Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është njohur me rastin e një futbollisti të KF Bylis, i cili pas testeve mjekësore rezultoi pozitiv me COVID 19. Menjëherë, Federata ka marrë kontakt me drejtuesit e klubit mallakastriot dhe është informuar për situatën e krijuar.
FSHF njofton se janë ndjekur të gjitha protokollet shëndetësore dhe se të gjithë futbollistët dhe stafi i KF Bylis i janë nënshtruar testeve mjekësore për të verifikuar nëse ka pasur përhapje të infeksionit.
Aktualisht, futbollisti i infektuar me COVID 19 është karantinuar sipas rregullave dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, pas testeve ka rezultuar se asnjë pjesëtar tjetër i KF Bylis nuk është prekur nga virusi dhe të gjithë gëzojnë shëndet të plotë.