Real Madrid gjunjëzon Barcelonën në “El Clasico” dhe merr kryesimin (VIDEO)

Real Madrid rihap garën për titull në La Liga, duke marrë një fitore spektakolare 2-0 në “El Clasicon” ndaj Barcelonës. Skuadra e Zidan zhbllloi një ndeshje shumë të mirë duke qenë dominues për pjesën më të madhe të kohës.

Ndeshja nis më mirë për Realin që ka kontrollin e lojës, por kërcënimin e parë do ta jepte Griezmann në minutën e 21-të, teksa tentativa e tij do të përfundonte jashtë kuadratit. Në të 38-të, është sërish skuadra e Setien që i afrohet golit me Messin, por sulmuesi argjentinas do të ndalej për mrekulli nga Courtois.

Fraksioni i dytë nis me një rast ideal për Iscon, i cili e dërgoi topin në tekëndësh me një tentativë nga distanca, por Ter Stegen i tha jo me një fluturim spektakolar. Madrilenët kanë një tjetër mundësi me Benzema, por sulmuesi francez nuk godet dot disa minuta më pas.

Gjithsesi goli nuk do të vononte. Në minutën e 71-të, pas një aksioni të bukur në krahun e majtë të Vinicius Junior, braziliani ndihmohet nga një devijim i Pique për të mposhtur Ter Stegen. Barcelona kërkoi me ngulm, barazimin, por nuk do të arrinin që të krijonin raste. Në minutën e dytë të kohës shtesë, Mariano Diaz shënoi edhe golin e dytë, duke i dhënë goditjen përfundimtare Barcelonës. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP